Arbëri

Dëshmitari i tretë nga mbrojtja e Thaçit nis sot dëshminë në Hag

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit

Pas dëshmisë së ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe ish-këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, këtë të hënë do të dëgjohet edhe dëshmitari i tretë.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të dëgjohet dëshmia e një britaniku, dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Seanca pritet të nisë nga ora 09:00.

Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të enjten ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale. Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka thënë të mos e ketë parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime. 

Para tij, ka dëshmuar ish-këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili e përmbylli të mërkurën dëshminë e tij në rastin më të madh të Speciales. Ai theksoi se sa ka qëndruar në Kosovë, gjatë luftës, nuk ka parë asnjëherë ndonjë shtab, batalion apo njësi të UÇK-së. Shqyrtimi gjyqësor pritet të vazhdojë të hënën me dëshmitarin e radhës të propozuar nga mbrojtja. 

Mbrojtja e Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vijim. Ndërsa dy të tjerë janë nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimti nuk ka ende të paraqitur dëshmitar.