Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerrë tri pika të cilat ka thënë se janë vulosur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të enjten.
Sipas partisë më të madhe në Kosovë, ky aktgjykim ka bërë të qartë se është obligim të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin dhe jo vetëm i partisë së parë, që zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve janë në nivel të barabartë dhe që votimi i fshehtë s’paraqet shkelje.
Në pikën e parë, VV-ja ka thënë se Kushtetuesja në disa raste ka thënë që obligimi për konstituim është për të gjitha partitë dhe jo vetëm për fituesen.
Sa i përket “nivelit të barabartë” të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, VV-ja ka thënë se gjykata ka hedhur poshtë qëndrimin e opozitës që kanë thënë se emrat e tyre për nënkryetarë do të jenë të panegociueshëm.
“Gjykata përfundimisht ka hedhur poshtë këtë qëndrim kontradiktor, duke vënë një shenjë barazimi midis dy çështjeve, dmth. asaj të zgjedhjes së kryetarit dhe asaj të zgjedhjes së nënkryetarëve. Aktgjykimi thekson disa herë që të dy veprime janë të domosdoshme për konstituimin e Kuvendit dhe se për të dy duhet arritur konsensusi i duhur. Pra, secila parti duhet të ushtrojë të drejtën e vet kushtetuese për të propozuar kandidatët për pozitat respektive që iu takojnë (kryetar dhe nënkryetarë) dhe, pastaj, që të votohen të gjithë. Në të kundërtën, të gjitha propozimet e partive për pozitat respektive duhet të jenë të negociueshme, jo vetëm propozimi i partisë së parë për kryetar. Prandaj, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi insistuar në qëndrimin parimor se subjektet politike të caktojnë vet kandidatët e tyre për pozitat përkatëse”, ka shkruar kjo parti në Facebook.
Në pikën e tretë, LVV-ja ka thënë se Kushtetuesja i ka dhënë dritë të gjelbër propozimit që të kalohet në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit.
“Opozita ka shpresuar që Gjykata Kushtetuese do ta shpallte kundërkushtetues propozimin për të kaluar në votim të fshehtë. Tani që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritë të gjelbër këtij propozimi, për sa i përket kushtetutshmërisë së tij, edhe partitë opozitare duhet të tërhiqen nga refuzimi për të marrë pjesë në votim të fshehtë, nëse këtë refuzim e kishin për arsye kushtetuese dhe jo nga frika që mund të humbasin”, thuhet në reagim në të cilin janë përmendur disa referenca nga vendimi.
