Presidenti amerikan Donald Trump dyshohet se u nxor fshehurazi nga avioni presidencial pas largimit nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, për shkak të një kërcënimi të mundshëm nga Irani, raportoi të martën BBC-ja.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Trumpi hipi fillimisht në Air Force One para kamerave televizive në aeroportin e Ankarasë. Megjithatë, ai u transferua më pas në një avion tjetër ushtarak, në një operacion të fshehtë që u realizua me ndihmën e një kamioni të furnizimit me ushqime.
Washington Posti raportoi se gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në Air Force One nuk ishin në dijeni se presidenti nuk ishte më në bord.
Sipas zyrtarëve të cituar nga CBS Neës, autoritetet amerikane patën zbuluar një kërcënim se Irani mund të lëshonte një raketë drejt avionit të presidentit. Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndërrimin e fshehtë të avionit.
Trumpi kishte mbërritur në Turqi me një Boeing 747-8 më të ri, të dhuruar nga Katari, por kishte deklaruar se do të largohej me avionin e vjetër Air Force One, “për hir të kohëve të vjetra”.
Edhe
Trumpi ndërroi aeroplanin presidencial në mes të udhëtimit pas paralajmërimit të Shërbimit Sekret
Më 8 korrik, pamjet televizive e treguan atë duke hipur në avionin presidencial në aeroportin e Ankarasë. Sipas Washington Post, Trumpi u transferua më pas në një avion ushtarak C-32A, një Boeing 757 që përdoret zakonisht nga nënpresidenti amerikan. Transferimi u bë përmes një kamioni të furnizimit me ushqime, i cili ishte ngritur në nivelin e avionit në anën e kundërt të aeroportit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hipi veçmas në C-32A përmes shkallëve të jashtme, në një përpjekje për ta bërë udhëtimin të dukej normal.
Ndërkohë, gazetarëve dhe disa anëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë në Air Force One iu kërkua të mbyllnin perdet e dritareve. Ata nuk e dinin se Trumpi tashmë ishte larguar nga avioni.
Presidenti amerikan fluturoi më pas drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku u rikthye në avionin e vjetër Air Force One. Ai u pa duke zbritur nga avioni pas mbërritjes në bazën ajrore RAF Mildenhall.
Më pas, Trumpi u transferua në avionin e ri të dhuruar nga Katari dhe me të udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara.
Gjatë fluturimit për në SHBA, Trumpi foli me gazetarët për kërcënimet që, sipas tij, vijnë nga Irani, por nuk përmendi ndërrimin e mëparshëm të avionit.
I pyetur se pse gazetarëve u ishte kërkuar të mbyllnin perdet gjatë fluturimit nga Turqia, Trumpi tha se bëhej fjalë për një udhëtim të rrezikshëm për shkak të kundërshtarëve me të cilët përballeshin.
Edhe
Trumpi paralajmëron Houthit pas sulmit ndaj anijeve saudite
Raportimet për kërcënimin ndaj Trumpit vijnë në një kohë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit.
Shërbimet amerikane të inteligjencës kishin paralajmëruar më herët për një kërcënim specifik ndaj presidentit ose avionit të tij.