Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar pretendimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Serbia po përgatitet për konflikt dhe po tenton destabilizimin e rajonit.
Gjatë një vizite në ndërtimin e një ure të re në Petrovaradin të shtunën, Vuçiqi ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për luftë, por për zhvillim dhe ndërtim.
“Për sa i përket deklaratave të Vjosa Osmanit se po përgatitemi për konflikt... këtë mëngjes kam pasur biseda me zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit. A mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh? Nuk di çfarë të them. Nuk jam mjek, për deklarata të tilla nevojiten zotërinj me të bardha (mjekë), jo politikanë që t’i mohojnë”, ka thënë Vuçiq, transmeton "Tanjug".
Ai shtoi se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ushtarak dhe nuk ka qëllim të provokojë.
“Nuk kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk kemi lëvizur asnjë makineri, as që na shkon ndër mend. Ne duam të punojmë, të ndërtojmë. Ata që flasin vazhdimisht për luftë, duket se kanë ndonjë faj në ndërgjegje dhe përpiqen t’ia hedhin fajin të tjerëve. Ne jemi të fokusuar në punët tona”, theksoi ai.
Presidentja Osmani gjatë vizitës së saj në SHBA, ka deklaruar dy herë se presidenti amerikan Donald Trump kishte penguar përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “kohëve të fundit”.