Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi mbron Radojiçiqin: Gjithmonë ka qenë i gatshëm të luftojë për popullin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dalë në mbrojtje Milan Radojiçiqit, që njihet si “kapoja i veriut të Kosovës”. Të premten në një konferencë për media, Vuçiqi ka thënë se Radojiçiqi “ka qenë gjithmonë i gatshëm të luftojë për popullin”.

“Kur flasin për atë se jam fajtor që kam thënë se e di sesa ata që ndërhyjnë në veri për të vrarë serbët e frikësojnë Milan Radojiçiqin, nuk kam gënjyer aspak, për këtë keni me dhjetëra e dhjetëra shënime në të gjitha shërbimet tona që e vërtetojnë pa mëdyshje. A është ai akademik, jo nuk është. A ka qenë gjithmonë i gatshëm që të luftojë për popullin – po ka qenë. Nëse dini ndonjë gjë, lajmërojuni organeve, mos më flisni marrëzi nëpër televizione. Nuk do të mbrohen as Radojiçiqi dhe as disa të tjerë. Punë imja është që të kujdesem se si jetojnë serbët në Kosovë”, ka thënë Vuçiqi, raporton “N1”.

Deklarata e Vuçiqit pason zotimin e tij se “Qeveria e Serbisë do t’i ndajë 28 milionë euro shtesë për qytetarët serbë në veri të Kosovës”.

Radojiçiqi dyshohet se ndodhet pas bandave përgjegjëse për tensionet në veri të Kosovës, e edhe për kontrabandën nga Serbia. Ai u përfshi në listën e sanksioneve të SHBA-së, e në fundvit të 2022-s edhe në atë të Britanisë së Madhe.

Radojiçiq, i cili është nënkryetar i Listës Serbe, është i dyshuar edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ai strehohet në Serbi, prej kur autoritetet kosovare kanë lëshuar fletarrestim. Dhe, në një nga tentimet për t’u futur në Kosovë, është kapur në pikëkalim nga policia, por mbërriti t’u ikte nga duart.

Edhe Personalitetet e vitit 2022: Milan Radojiçiq – Kapoja i pakapshëm Arbëri Personalitetet e vitit 2022: Milan Radojiçiq – Kapoja i pakapshëm

Në korrik sfidoi institucionet, kur lansoi nga veriu një video duke kërcënuar: “Unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, sepse nga këtu nuk ka kthim”.

Radojiçiq u bë temë debati edhe në Kuvendin e Serbisë. Opozitarët thanë se edhe shteti i tyre është në hall me të, pasi u raportua se nëpërmjet tenderëve qeveritarë, kompanitë e kapos së veriut të Kosovës kanë pasur fitime të mëdha.