Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi: Dorëzimi nuk është opsion

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia ka vazhduar luftën për Kosovën në të gjitha frontet diplomatike.

Ai shkroi në Instagram të dielën se kjo luftë nuk ka qenë asnjëherë e lehtë dhe se po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe komplekse. Vuçiqi përsëriti frazën “dorëzimi nuk është opsion”, që edhe djali i tij, Danilo Vuçiq, e kishte si mbishkrim në bluzë, në organizimin për Vidovdan.

“Dhe këtë javë, Serbia vazhdoi luftën në të gjitha frontet diplomatike për Kosovën tonë, fundin e dhunës ndaj serbëve dhe kthimin në dialog, për jetën paqësore dhe të sigurt të popullit tonë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë dhe sot më duket po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më komplekse”, ka shkruar ai.

Presidenti serb ka përmendur takimet e bisedat e tij që ka pasur gjatë javës, duke thënë se të gjithëve ua ka paraqitur rrezikun e përshkallëzimeve dhe tensioneve të mëtejshme.

“Unë kërkova nga të gjithë bashkëbiseduesit, para së gjithash, të shikojnë kushtet e patolerueshme në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë. Lufta vazhdon dhe intensifikohet, sepse dorëzimi nuk është opsion”, shtoi Vuçiq.