Blend Vrajolli, i cili u arrestua në shkurt të vitit të kaluar nën akuzën për përgatitje të një sulmi terrorist ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, është distancuar nga deklaratat inkriminuese për veten që i ka dhënë në fillim. Në përballje me pyetje të prokurorit, ai tha se nuk i njeh personat me të cilët ka komunikuar se si ndërtohen bombat dhe se thjesht shprehu interesim e jo qëllim për ndërtimin e tyre.
I akuzuari për përgatitje të një sulmi terrorist, që sipas prokurorisë ishte planifikuar të kryhej ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI në “Paradën e Krenarisë” në Prishtinë, i ka mohuar deklaratat paraprake inkriminuese për veten, të dhënë në Polici menjëherë pas arrestimit.
Gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai ka thënë të martën se nuk kishte qëllim që të kryente sulm.
“(Në deklaratën e parë v.j.)E shpika se e pyeta Valonin se a lejohet ta sulmoj komunitetin LGBT”, ka thënë i akuzuari Blend Vrajolli.
Ai u arrestua në shkurt të vitit të kaluar dhe, sipas organit të akuzës, ka shkëmbyer mesazhe në telegram, në përgatitje të sulmit me materiale të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.
Prokurori special, Afrim Shefkiu, e ka përballur të akuzuarin edhe me deklarata të tjera paraprake.
“Paraprakisht e përshëndet sipas traditave, ‘dua të zhvilloj aftësitë e mia ushtarake, strategjike për prodhimin e bombave. A e din se si mund të bëhet një dron me një bombë?’. Pastaj t’i dërgon disa foto me çka mund të bëhet një bombë... i kemi edhe materiet që shkaktojnë materie eksplozive që mund t’i blesh edhe në farmaci, nitrat kalciumi dhe tritol e të tjera... Këto janë nxjerrë nga telefoni i tij. A të kujtohen?”, ka pyetur prokurori.
“Po”, është përgjigjur i akuzuari Vrajolli.
Tek iu përgjigj pyetjeve tjera të prokurorit, i akuzuari tha se nuk i njeh personat me të cilët ka komunikuar se si ndërtohen bombat dhe se thjesht shprehu interesim e jo qëllim për ndërtimin e tyre.
“Po, kjo ishte vetëm një pyetje nga kureshtja dhe nuk kishte asgjë, asnjë qëllim. Domethënë pyetje nga kureshtja i keni bërë personit që nuk e njihni fare”, ka pyetur prokurori Shefkiu.
“Po... Bisedat qëndrojnë. Qëllimi nuk qëndron. Sepse po të kisha pasur qëllim, ju do të më kishit sekuestruar edhe lëndë plasëse ose armatim tjetër, mirëpo e gjitha që keni sekuestruar tek unë është vetëm mjete dhe programe informatike”, ka thënë i akuzuari Vrajolli.
Ky i akuzuar tha në gjykatë se nuk ka kurrfarë qëndrimi apo mendimi për komunitetin LGBTI. Ai akuzoi dhe fajësoi gjatë seancës avokatin Arbër Shala se nuk e ka këshilluar mirë e po kështu edhe Policinë, për të cilën tha se kur u arrestua nuk e udhëzuan lidhur me të drejtat dhe interesat e tij. Megjithëkëtë, nuk ka pasur ankesa në prokurorin special.
Shtatorin e vjetëm Prokuroria Speciale ka bërë të ditur përmes një komunikate se është ngritur aktakuzë ndaj një personi për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri B.V. ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme, dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me, nitrate de calcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtareve të komunitetit LGBTI”, pati bërë të ditur Prokuroria.
Vrajolli është arrestuar nga Policia në pikën kufitare në Merdar, më 21 shkurt të vitit të shkuar.