LAJMET E MBRËMJES

Tre vjet e gjysmë burgim personit që planifikoi sulme terroriste në Prishtinë e Merdar

Trupi gjykues ka vlerësuar se në planifikimet për sulme, ai ka qenë në komunikim me persona të tjerë. Në shpalljen e aktgjykimit u bë e ditur se janë marrë parasysh edhe prova të marra nga Franca. Sipas aktakuzës, Vrajolli ka planifikuar sulme terroriste ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT në Prishtinë dhe ndaj policëve të Serbisë në pikën kufitare në Merdar

I akuzuari për planifikim të sulmeve terroriste në Prishtinë e Merdar, Blend Vrajolli, është dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur vitin e kaluar, 25-vjeçari pati planifikuar sulme terroriste ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI në sheshin e kryeqytetit dhe në pikën kufitare me Serbinë, Merdar.

Aktgjykimi u shpall të martën në mungesë të të akuzuarit.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë i kryesuar nga Valbona Musliu-Selimaj konstatoi se Blend Vrajolli ka shkëmbyer mesazhe që vërtetojnë se ai ka planifikuar sulme terroriste.

“I akuzuari Blend Vrajolli në periudhën disamujore, e deri në datën e arrestimit të tij, më 21.2.2023, ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e sulmeve terroriste në Kosovë, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe në pikën kufitare Merdar me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrat të kalciumit, e të cilat detaje i ka shpalosur gjatë komunikimit të zhvilluar përmes aplikacionit Threema nga profili ‘Proxial’ me një person me emrin Al Muhaxhiri, nga i cili kërkon udhëzime për krijimin e bombave artizanale apo materieve eksplozive”, ka thënë gjyqtarja Musliu-Selimaj.

Gjykata ka konstatuar, po ashtu, se Vrajolli ka pranuar trajnime që do t’i shërbenin për realizimin e sulmeve terroriste.

“I akuzuari me nofkën ‘Ebu Ubejd’ ka pranuar trajnim për terrorizëm, në atë mënyrë që nga data 31 janar 2023 deri më datën 7 shkurt 2023 gjatë komunikimit me personin me nofkën Al Muhaxhiri apo personi i huaj përmes rrjetit ‘Threema’, nga i cili ka pranuar udhëzime, pranimin e njohurive praktike për prodhimin e mjeteve shpërthyese, armëve të tjera – substanca kimike, substanca të dëmshme për njerëzit, pronën dhe mjedisin, me qëllim që të kryejë apo të kontribuojë në kryerjen e veprës penale terroriste të përshkruar sikurse më lartë”, ka deklaruar ajo.

Para arrestimit në pikën kufitare Hani i Elezit më 21 shkurt 2023, i pandehuri jetonte në Dijon të Francës. E në marrjen e vendimit për dënimin e Vrajollit janë marrë parasysh edhe raportet nga autoritetet franceze.

“Gjykata si dëshmi ka marrë komunikimin që i njëjti ka pasur me personin e huaj apo Al Muhaxhiri nga i cili pranon gjësendet e nevojshme për krijimin e bombave. Njofton se të njëjtat do t’i gjejë. E ka njoftuar se disa prej tyre i ka gjetur. Njofton personin Al Muhaxhiri se do të udhëtojë për Umre më 9 shkurt e do të kthehet më 23. Ka njoftuar gjithashtu se disa prej pajisjeve i ka blerë, për të njëjtat do t’ia bëjë një kërkim do t’i gjejë edhe në Kosovë dhe do t’i bartë përmes autobusit, derisa vetë do të kthehet me aeroplan”, ka thënë gjyqtarja gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Vrajolli i ka shfajësuar personat e tjerë me të cilët ka pasur komunikim dhe ka fajësuar veten.

Në dënimin me burgim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjykata vendosi që atij me vendim të veçantë t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.

“I pandehuri thekson se më pastaj në vetvete i shpik dy plane edhe atë: Plani i parë ka qenë për të bërë sulm terrorist në sheshin e Prishtinës, ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, ndërkaq plani i dytë ka pasur të bënte me sulm terrorist në pikën kufitare në Merdar ndaj policisë së Serbisë, duke cekur se këtë e ka bërë vetëm për të vazhduar kontaktin me personin në fjalë (Muhaxhirin)”, thuhet në arsyetimin e aktakuzës.

Gjykata konstatoi se me mesazhet që i ka shkëmbyer i pandehuri me persona të panjohur janë diskutuar mënyrat se si teknikisht do të realizoheshin sulmet terroriste dhe vendet ku planifikoheshin sulmet.

“Gjatë këtyre komunikimeve janë prezantuar edhe video se si të bëhet përgatitja e eksplozivëve apo materieve plasëse, se çfarë produktesh nevojiten për sigurimin e tyre, se cila është mënyra e sigurimit të asaj materieje plasëse. Po ashtu ka pasur edhe video se si përdoren armët apo manipulimi i tyre. Gjithashtu i akuzuari ka përmendur se i ka dërguar personit në fjalë, edhe harta ku ka identifikuar një pjesë të kufirit Kosovë-Serbi, si dhe sheshin e Prishtinës, aty ku zakonisht bën parakalimin komuniteti LGBT”, ka thënë gjyqtarja Musliu-Selimaj.

Prokuroria në aktakuzën e ngritur më 15 shtator 2023 pretendon se për këto sulme ka pranuar harta e mesazhe të tjera në aplikacione siç është Threema dhe se ka synuar ta përdorë kombinimin e nitratit të kalciumit me lëndë të tjera për të bërë lëndë shpërthyese. Ai u arrestua në pikën kufitare Hani i Elezit vitin e kaluar, ku iu konfiskuan 2500 euro pas një udhëtimi në Arabinë Saudite.

Në deklarimet në Prokurori, ai i ka shfajësuar personat e tjerë me të cilët ka pasur komunikim dhe ka fajësuar veten duke pretenduar se ka gënjyer në Prokurori – duke thënë se ai vetë e ka shpikur aty për aty gjatë intervistimit në Prokurori planin për sulm terrorist.

“(Në deklaratën e parë v.j.) E shpika se e pyeta Valonin (dëshmitarin Valon Latifi v.j.) se a lejohet ta sulmoj komunitetin LGBT… Po... Bisedat qëndrojnë. Qëllimi nuk qëndron. Sepse po të kisha pasur qëllim, ju do të më kishit sekuestruar edhe lëndë plasëse ose armatim tjetër, mirëpo e gjitha që keni sekuestruar tek unë janë vetëm mjete dhe programe informatike”, pati thënë Vrajolli gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij në shqyrtimin gjyqësor më 30 janar 2024.

Vrajolli ka jetuar në Francë gjatë viteve të fundit. Hetuesia e Francës ka qenë e përfshirë në hetimin lidhur me të.

“Po ashtu, nga raportet e autoriteteve të Francës mbi gjetjet gjatë bastisjes si dhe komunikimet me përmbajtje inkriminuese me personat e tjerë, shihet qartë se i njëjti është i prirë dhe i frymëzuar me ideologji radikale islame për të sajuar bomba për shkaktimin e akteve terroriste në Kosovë duke përshkruar edhe sheshin e Prishtinës ku do të defilonin pjesëtarët e LGBTI-së”, thuhet në arsyetimin e aktakuzës.