Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 30 vjet e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë (së bashku) A. Gj., E. S., N.S. dhe M.B. lidhur me akuzën për terrorizëm.
Aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari A.Gj. për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” u dënua me 5 vjet burgim ndërsa për veprën penale në bashkëkryerje të armëmbajtjes pa leje, u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim.
Ndaj tij gjykata shpalli dënim unik me 9 vjet burgim.
I akuzuari E. S. për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” u dënua me 4 vite burgim.
Edhe
Nga një muaj paraburgim ndaj pesë të pandehurve për krim të organizuar dhe narkotikë
Ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje në bashkëkryerje, u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim.
I akuzuari N. S. për veprën penale “Lehtësimi dhe Financimi në kryerjen e terrorizmit” u dënua me 8 vite e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Nëse i akuzuari nuk mundet ose nuk dëshiron ta paguajë dënimin me gjobë, i njëjti i zëvendësohet me dënim me burgim.
I akuzuari M. B. për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, u dënua me 4 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 3 vite e 6 muaj burgim. Ndaj Bellaqës, gjykata shpalli dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim.
Për të gjithë të akuzuarit, dënimi me burgim hyn në fuqi 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Po ashtu, atyre u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Edhe
Dënohen 10 të akuzuarit që pranuan fajësinë në rastin “Subvencionet V”
Për veprat për të cilat u dënuan, të akuzuarit ishin shpallur fajtorë në seancën e 18 dhjetorit 2023.
I akuzuari A.Gj. ishte liruar nga akuza për veprën penale “Mos lajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, pasi nuk ishte provuar se e ka kryer këtë vepër.
Gjithashtu edhe i akuzuari N. S. u lirua nga akuza për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, pasi sipas gjykatëses Musliu-Selimaj gjykata konsideroi se veprimet e tij janë përmbushur në veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.
Në këtë rast akuzohej edhe Sh. K. mirëpo ai pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse”.
Ata akuzoheshin se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë.
Edhe
Tre vjet e gjysmë burgim personit që planifikoi sulme terroriste në Prishtinë e Merdar
Sipas aktakuzës ata gjatë periudhës kohore nga muaji mars e deri më 10 tetor të vitit 2021, fillimisht kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë.
Sipas akuzës duke kontaktuar me një person më gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS-Zyra për Marrëdhënie me Jashtë Abu Talha Al Muhajir janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojeve të ndryshme, ashtu që i pandehuri E. S. së bashku me të pandehurin A. Gj. në pyllin e tij në Fshatin Bokshiq, Komuna e Klinës, ka siguruar e mbajtur në kontroll duke i fshehur dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë një sasi të arsenalit të armeve të zjarrta. / Betimi për Drejtësi