Arbëri

Votat nga diaspora, 921 raste të dyshimta në dorë të KQZ-së

Dyshimet serioze për votim të shumëfishtë nga diaspora janë konfirmuar edhe në dokumentet e brendshme të Komisionit Qendror Zgjedhor. Mbi 900 raste të tilla janë evidentuar nga Sekretariati i KQZ-së, tek kanë përmendur se nuk dihet nëse ato janë proceduar për hetim penal. Në përgjigjet e KQZ-së është përmendur procedura standarde që ndiqet në këto raste, pa treguar nëse ato i janë përcjellë prokurorisë

Mbi 900 raste të mundshme të votimit të shumëfishtë nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit ka identifikuar Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kjo është evidentuar në një dokument që e ka përpiluar Sekretariati ku konstatohen problemet që e shoqëruan procesin e fundit zgjedhor, e të cilat ishin përmendur edhe në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian. Aty thuhet po ashtu se ende nuk dihet se KQZ-ja i ka dërguar këto raste në prokurori. 

“Kosovarët që jetojnë jashtë vendit patën mundësi të regjistroheshin për votim me postë ose personalisht në misionet e përcaktuara diplomatike, mirëpo pas verifikimit të listave të votuesve dhe vlerësimit të dërgesave postare, KQZ evidentoi 921 raste të mundshme të votimit të shumëfishtë. E për këtë akoma nuk dihet se KQZ a i ka dërguar këto raste në prokurori”, shkruan në dokument. 

E në KQZ thanë kanë përmendur fletëvotimet që janë refuzuar, tek shtuan se ka pasur raste kur shumë prej aplikuesve kanë deklaruar se kanë dërguar pako në emër të gjithë familjes. 

“Gjatë procesit të vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara me postë, janë refuzuar 868 zarfe, pasi votuesit kishin dërguar më shumë se një herë zarfe me fletëvotim. Duhet theksuar se gjatë periudhës së votimit përmes postës, Divizioni për Shërbimin e Votuesve ka pranuar dhjetëra telefonata nga votues që nuk ishin të informuar se fletëvotimi duhet të dërgohet në mënyrë individuale (një votues – një zarf). Shumë prej tyre kanë deklaruar se kanë dërguar një pako me zarfe në emër të gjithë familjes. Në këto raste, votuesit janë informuar se kjo mënyrë e dërgimit nuk konsiderohet e rregullt dhe janë udhëzuar të dërgojnë zarfe individuale, secili veç e veç”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Edhe pse ka përmendur procedurën standarde që ndiqet në këto raste, në KQZ nuk kanë treguar nëse i janë përcjellë prokurorisë. 

“Po ashtu, janë refuzuar edhe 19 zarfe me fletëvotime, pasi votuesit përkatës kishin dërguar një zarf me fletëvotim përmes postës dhe në të njëjtën kohë, kishin votuar edhe në qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike. Ndërsa, gjatë verifikimit të zarfeve me fletëvotime nga votimit me kusht, rezultoi se 34 votues kishin votuar në vendvotime të rregullta. Në të gjitha këto raste zarfet me fletëvotime nuk janë proceduar për numërim, rrjedhimisht nuk janë përfshirë në rezultate. Sipas akteve nënligjore të KQZ-së, kur evidentohen rastet se ka pasur votim të dyfishtë, përgatitet raport dhe këto raste procedohen te organet e drejtësisë”, ka shtuar Elezi. 

“Votimi ose tentimi për të votuar edhe pse një person ka votuar një herë është keqpërdorim i të drejtës së votimit, andaj KQZ do të ndërmarrë hapat konkret edhe në rastet e tilla për të njoftuar organet përkatëse”. 

Me gjetjet janë njoftuar edhe anëtarët e KQZ-së, prej të cilëve vetëm Sami Kurteshi është përgjigjur në pyetjet e Kohës. 

“Po, me këto gjetje është njoftuar edhe KQZ. Kërkesa e KQZ, edhe e imja personalisht, gjatë përgatitjeve të zgjedhjeve por edhe pas njoftimit nga SKQZ, ka qenë dhe mbetet, që rastet e tilla, të cilat përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të përcillen në organet kompetente për hetim dhe gjykim”, ka thënë Kurteshi. 

Ai ka shtuar se dyshimi kryesor dhe i vetëm është mashtrimi. 

“Votimi i dyfishtë apo edhe i shumëfishtë, sidomos në komunat veriore të Kosovës, është veprim i ndaluar që është identifikuar edhe në zgjedhjet e mëhershme. Janë ndërmarrë veprime konkrete nga KQZ për parandalimin e këtyre rasteve, p.sh., me kufizimin e votimit me kusht, që në zgjedhjet e mëhershme ka qenë një nga burimet kryesore të këtyre mashtrimeve”, ka thënë ai.  

Sipas Kurteshit ka pasuar edhe manipulime të tjera, me të cilat janë njoftuar organet kompetente të drejtësisë. 

“Jo vetëm votimi i dyfishtë apo edhe i shumëfishtë, që në zgjedhjet e mëhershme ka qenë shumë më i theksuar, lëshimet apo manipulimet gjatë numërimit të votave të kandidatëve, lëshimet apo manipulimet me shpalljen e votave të pavlefshme, manipulimi me votat e mërgimtarëve nga votimi me poștë jashtë vendit, janë veprime të kundërligjshme penale, me të cilat janë njoftuar organet kompetente të drejtësisë”, ka potencuar Kurteshi. Ai ka theksuar se në rastin konkret, KQZ-ja duhet të bëjë analiz dhe bazuar në të të ndërmarrë edhe masa të tjera për parandalimin e votimit të shumëfishtë. “Ndërsa edhe organet e drejtësisë duhet që pa zvarritje të përshpejtojnë rastet e hetimit dhe të gjykimit meritor të rasteve të tilla”, ka thënë ai. 

Mangësi serioze në menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ka konstatuar edhe Misioni Vëzhguesve të Bashkimit Evropian (EU EOM), ku dyshime për keqpërdorime janë ngritur edhe për votimin me postë. 

“Nga 20,324 persona të kualifikuar, 15,348 votuan personalisht. Në total, KQZ-ja pranoi 68,715 dërgesa postare me fletë votimi, nga të cilat 63,705 zarfe me fletëvotim u miratuan për numërimin e votave dhe 4,898 dërgesa u refuzuan për arsye të ndryshme. Pas verifikimit të listave të votuesve dhe vlerësimit të dërgesave postare, komisioni identifikoi 921 raste të votimit të mundshëm të shumëfishtë”, thotë raporti. 

Aty përshkruhen edhe problemet me publikimin e rezultateve preliminare të cilat ndikuan në besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve. 

Vëzhguesit evidentuan po ashtu ndikimin politik të drejtpërdrejtë brenda KQZ-së, ku anëtarë të caktuar vepronin në mbrojtje të interesave të subjekteve përkatëse, në vend se të mbanin qëndrim të pavarur dhe profesional. 

Për t’i shmangur këto probleme, është rekomanduar të krijohet një sistem i besueshëm dhe transparent i menaxhimit të rezultateve me procedura të qarta dhe të verifikueshme për të siguruar përpunimin e saktë të të dhënave të rezultateve.