Arbëri

Von der Leyen publikon foto nga Tirana përkrah Osmanit, Ramës, Vuçiqit e liderëve tjerë të rajonit

Vjosa Osmani

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka publikuar një foto nga Tirana përkrah liderëve të Ballkanit Perëndimor. 

Në foto shihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e krerë të tjerë të rajonit, si dhe krerët e Bashkimit Evropian. 

“Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është i pari në Ballkanin Perëndimor. Çfarë simboli i fuqishëm. Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet shumë më tej se kufijtë e Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët”, ka shkruar Von der Leyen në platformën “X”. 

Tirana mirëpret Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje me rëndësi të veçantë që mbledh në kryeqytetin shqiptar 47 liderë nga e gjithë Evropa.

Në Tiranë ka mbërritur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 

Për darkën mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe krerëve të Bashkimit Evropian ka shkruar presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq. 

“Në darkë me presidentin e Këshillit Evropian, presidenten e Komisionit Evropian, presidenten e Parlamentit Evropian, përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, në prag të fillimit së Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. E ardhmja e Malit të Zi dhe e Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka shkruar Milatoviq.