Arbëri

Vetëvendosja e Nisma, të gatshme për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Nismës Socialdemokrate kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar, me synim për t’i formuar institucionet e reja. Në Nisma thanë se takimet mes zyrtarëve kanë vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve, sa në fuqi është masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese

Dështimi për të arritur marrëveshje bashkëqeverisjeje brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk ka zbehur vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje e Nismës Socialdemokrate për bashkëpunim ndërmjet vete.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë deklaruar se vazhdojnë të kenë interesim për të bashkëpunuar me Nismën Socialdemokrate.

“Aktualisht jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo ashtu siç kemi treguar gatishmëri si fitues absolutë të zgjedhjeve, për të arritur marrëveshje për konstituim të Kuvendit dhe për formim të Qeverisë ende mbetemi tek ajo gatishmëri. Mirëpo, gatishmëria jonë dhe opsionet që kemi dhënë si kompromis nga ana jonë presupozojnë edhe vullnetin e subjekteve të tjera për të lëvizur. Konstituimi i Kuvendit u takon të gjithëve, jo vetëm partisë fituese”, ka thënë Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV-së.

E anëtari i kryesisë së Nismës, Fatmir Matoshi, ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje diskutime janë zhvilluar edhe gjatë dy javëve të fundit, në kohën kur në fuqi është masa e përkohshme e vënë nga Kushtetuesja.

“Sigurisht që takime ka pas mes eksponentëve të ndryshëm edhe nga ana e Nismës edhe nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo që nuk ka ekzistu këto ditë është ndonjë takim i kryetarëve të partive sepse siç e dini kryetari Limaj bashkë me kryetarin Kurti kanë zhvillu takime të përbashkëta, janë zhvillu në nivel të kryetarëve të partive dhe një takim i tillë pas vendosjes së masës së përkohshme nuk ka ndodhë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që mund të ndodhë pas bërjes publike të vendimit të ri të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Matoshi.

Më 8 gusht përfundon masa e përkohshme e vënë nga Kushtetuesja. Me të iu ndalua deputetëve çfarëdo veprimi e vendimi për konstituim të Kuvendit.

Njohës të zhvillimeve politike kanë përmendur si skenarin më të përafërt shpërndarjen e legjislaturës së nëntë, si pasojë për mosrespektimin e afatit kushtetues të vënë për konstituimin e Kuvendit.

Në një situatë të tillë, Matoshi i Nismës konsideron se ka hapësirë bashkëpunimi me LVV-në edhe për zgjedhjet e parakohshme.

“Mundësia që në të ardhmen të jemi ndoshta më të përafruar për sa i përket garës në zgjedhjet nacionale kurdo që mbahen ato është më e madhe. Një mundësi më shumë ekziston për bashkëpunim për zgjedhjet në nivel nacional sesa për një bashkëpunim në zgjedhje lokale pikërisht për shkak të specifikave të veçanta që kanë komunat”, ka thënë Matoshi.

Seanca për konstituimin e Kuvendit është hapur më 15 prill. Deputetët e legjislaturës së nëntë dështuan ta përmbyllin atë, ndonëse tentuan 54 herë.