Arbëri

Një ditë para përfundimit të afatit të Kushtetueses s`ka indikacione për konstituimin e Kuvendit

Tentimi i 52-të me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të zhvillohet të premten. Kjo është edhe mundësia e fundit për përmbylljen e këtij procesi para se të përfundojë afati i përcaktuar kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Në seancën e nesërme të pranishëm kanë paralajmëruar se do të jenë edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Të premten është mundësia e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, para afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

 

Në aktgjykimin e fundit, Kushtetuesja ka përcaktuar se legjislatura e nëntë duhet të konstituohet deri më 26 korrik.

 

Të mërkurën, përpjekja për përmbylljen e seancës së nisur më 15 prill dështoi për herë të 51-të.

 

Në punimet e seancës, që pritet të nisin në orën 11:00, të pranishëm do të jenë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

 

“Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për ta konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në Parlament”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

 

Deri të enjten nuk është bërë publike ndonjë lëvizje në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

 

Në fundjavë, në tentim për arritjen e një marrëveshjeje politike, u takuan kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Kurti paralajmëroi se gjatë javës do të kuptohet nëse do të arrihet marrëveshje apo jo.

 

Limaj i Nismës Socialdemokrate insiston në postin e kryetarit të Kuvendit, por nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se oferta për të është për bashkëqeverisje.

 

Në rast të moskonstituimit të Kuvendit të premten, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, shprehu bindjen se Gjykata Kushtetuese nuk do t`ia marrë të drejtën partisë më të madhe për të propozuar kryetarin e Kuvendit.

 

Kusari-Lila ka përmendur si mundësi marrjen e mandatit të deputetëve aktualë.

“Po kjo prapë duhet të vijë si interpretim i Gjykatës Kushtetuese, domethënë ne nuk mund tani të parashohim që me automatizëm ne decertifikohemi ose na merret mandati, vetëm se nuk është respektuar ai afat. Do të thotë, duhet tashmë prapë Gjykata Kushtetuese të dalë me një informacion shtesë mbi pasojat në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda tridhjetë ditëve sipas aktgjykimit të tyre të parë”, ka thënë Lila.

 

Gjykata Kushtetuese aktualisht ka në trajtim tri lëndë që lidhen me konstituimin e Kuvendit.

 

Dy janë dorëzuar nga PDK-ja e LDK-ja në lidhje me votimin e fshehtë derisa e fundit është ajo e presidentes Vjosa Osmani për pasojat juridike me të cilat mund të përballet Kuvendi në rast të moskonstituimit të tij brenda afatit 30-ditor të përcaktuara nga gjykata.