Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, pas dështimit për anëtarësim në Interpol, ka lavdëruar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e dëshmuar që e ka bërë shtetin tonë partner të besueshëm dhe efektiv në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në veçanti kundër terrorizmit, ka shtuar se ne nuk do të dekurajohemi në rrugën e qëllimeve tona integruese.
Në postimin e tij përmes Facebook, Vesli ka shkruar:
Sot nuk ishte ditë e mirë për Kosovën. Por, më i fuqishëm se fakti i mosanëtarësimit në Interpol është fakti se as Serbia me politikën e saj të pengimit ndërkombëtar të Kosovës, as krimi i organizuar, e as terrorizmi, nuk do të mund ta ndalin fuqizimin e shtetit të Kosovë dhe integrimin ndërkombëtar të tij.
Kosova krenohet me policinë e saj. Është policia më profesionale në rajon dhe më gjerë. Me profesionalizmin e saj të dëshmuar, Policia e Kosovës e ka bërë shtetin tonë partner të besueshëm dhe efektiv në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në veçanti kundër terrorizmit.
Vota e sotme negative ka dëmtuar qartësisht partneritetin ndërkombëtar kundër këtyre të këqijave.
Por, përkundër kësaj, ne nuk do të dekurajohemi në rrugën e qëllimeve tona integruese. Do të punojmë pa u ndalur dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Ashtu siç kemi bërë gjithmonë edhe me sfidat e të kaluarës.
Edhe
Veseli në 20 vjetorin e Policisë së Kosovës thotë “bashkë me ju do ta luftojmë korrupsionin”
Në këtë kontekst, do të ishte mirë dhe patriotike sigurisht që partitë opozitare, në vend që të bashkëndjejnë me Serbinë gëzimin për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol, e t’i fërkojnë duart për pushtet, t’i thërrasin arsyes dhe të gjejnë forcën e duhur për t’iu bashkuar institucioneve të vendit në përballje të përbashkët me sfidat që kemi përpara si shtet e shoqëri.
Nxitja e përçarjes së brendshme, politikat egoiste dhe bllokuese janë qartësisht dëmtim i Kosovës dhe i ndihmojnë fuqizimit të pozicionit ndërkombëtar të Serbisë në raport me Kosovën. Kjo sjellje politike duhet të marrë fund. Sa nuk është bërë vonë, për të gjithë! – thuhet në postimin e Veselit.