Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reagimet në Kosovë pas dështimit në Interpol

Për dështimin në Interpol, partitë opozitare në vend, përveç fushatës serbe kundër anëtarësimit të Kosovës, kanë fajësuar edhe diplomacinë kosovare.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, tentimin e tretë të dështuar për anëtarësim, e vlerësoi si një goditje për sigurinë në Ballkan, raporton KTV.

Derisa Dardan Sejdiu thotë se institucionet e vendit nuk kanë bërë mjaftueshëm për anëtarësim në Interpol.

Por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka pasur një porosi për partitë opozitare.

“Në këtë kontekst, do të ishte mirë dhe patriotike sigurisht që partitë opozitare, në vend që të bashkëndiejnë me Serbinë gëzimin për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol, e t’i fërkojnë duart për pushtet, t’i thërrasin arsyes dhe të gjejnë forcën e duhur për t’iu bashkuar institucioneve të vendit në përballje të përbashkët me sfidat që kemi përpara si shtet e shoqëri”, ka thënë Veseli.

Rezultatin e Dubait e ka konsideruar humbje për të gjithë, e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Collen Hyland.

“Jashtëzakonisht e dëshpëruar me rezultatin e votimit për #INTERPOL. E gjitha ishte për siguri më të mirë në Ballkan, Evropë dhe në botë. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim. #Kosova duhet të mbetet e përqendruar në të ardhmen e saj evropiane, në koordinim me aleatët e saj”, ka shkruar ajo në Twitter.

Dëshpërimin e kanë shprehur edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, sipas së cilës, anëtarësimi i Kosovës, do të nënkuptonte shkëmbim më të mirë të informatave ndërmjet agjencive të sundimit të ligjit.

“Kriminelët e organizuar tashmë bashkëveprojnë lehtësisht ndërmjet kufijve: për t’i luftuar ata në mënyrë efektive, autoritetet tona për zbatimin e ligjit duhet të kenë mundësi të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.

Kundër Kosovës kanë votuar kryesisht shtete të Azisë dhe Afrikës.

Artikuj të ngjashëm