Kosova e ka vendin në Interpol, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë kryesore për shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Osmani ka thënë se historia e Policisë së Kosovës është histori e përkushtimit dhe përballjes me sfida. Ajo e ka vlerësuar Policinë si shtyllë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“‘Polici i shërben vendit edhe kur vetë përballet me rrezikun’. Kjo frazë e njohur e përshkruan më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut nga secili prej jush. Sot në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e Policisë së Kosovës, e cila është histori e kurajës, përkushtimit dhe përballjes me sfidat në për të cilat ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti i ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta, të sovranitetit dhe integriteti tonë territorial”, ka thënë ajo, transmeton EkonomiaOnline. “Nga ditët e para të themelimit deri më sot keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk ka krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besimin tuaj ndaj Republikës. Sidomos, gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm, guxim dhe duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim. Për këtë arsye mbetet domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Sepse aty e ka vendin Policia jonë, në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë”.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se dita e sotme është dëshmi e rrugëtimit të Kosovës si shtet mbi shumë sfida.
“Sot shënojmë 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit më të besueshëm në Republikën tonë, së bashku me FSK-në, ushtrinë tonë. Ky përvjetor nuk është thjesht shënim i një date, por është dëshmi e rrugës sonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj, qytetarëve dhe Republikës”, ka theksuar Kurti.
Gazmend Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton është bërë simbol i besimit dhe shpresës për ndërtimin e shtetit.
“Ky zhvillim dhe avancim është rezultat i përkrahjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve tjera vendore e akterëve ndërkombëtarë për çka ne u jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka thënë Hoxha.
Kurti: Policia nuk i la shans krimit e terrorizmit në veri
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka veçuar punën e Policisë në veri të shtetit.
“Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i një date por dëshmi e rrugës tonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës,” theksoi Kurti.
Ai vlerësoi Policinë e Kosovës si themel të sigurisë së vendit dhe u zotua për mbështetje të vazhdueshme institucionale.
“Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, në veri ajo sërish nuk i la shans krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia”, ka thënë Kurti. “U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj”.
Kurti ka vlerësuar punën e Policisë edhe në luftën ndaj krimeve të luftës.
“Policia jonë nuk ndalet as para krimeve të së kaluarës, arrestimet e personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës janë dëshmi se drejtësia edhe kur vonon, ajo megjithatë vjen një ditë. Kjo është përgjegjësi ndaj kujtesës tonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë”, ka thënë ai.
Kurti në ceremoninë e 26-vjetorit të Policisë ka dalluar rolin e grave dhe vajzave dhe të komuniteteve në Policinë e Kosovës.
Kurse ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se integriteti mbetet vlerë themelore për Policinë e Kosovës, e cila ka dëshmuar se është në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka folur mbi rrugëtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike./RTKlive