Arbëri

“Verë n’Dimër” sërish me çmime të larta

Një atmosferë të ngrohtë kanë sjellë në kryeqytet që nga 28 nëntori shtwpizat e “Verw n’Dimwr”.

Megjithatë, dritat e fundvitit mungojnë. Me festivalin “Verë n’dimër” nuk është bërë edhe dekorimi i shesheve të kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës ka rihapur tenderin “Dekorimet Verore, Dimërore dhe Shënimi i Festave me Rëndësi” më 27 tetor të këtij viti, pasi tenderi paraprak ishte anuluar nga OSHP më 20 tetor 2025.

KOHA ka tentuar të marrë informacione nga Drejtoria e Kulturës në komunë të Prishtinës se kur mund të bëhet dekorimi i kryeqytetit për fundvit, megjithatë nuk ka marrë përgjigje.

Qytetarët vazhdojnë të shijojnë atmosferën e fundvitit vetëm me “Verë n’dimër”.

Kafeja, çokollata e nxehtë e vera e ngrohtë, janë pijet që edhe sivjet shërbehen më së shumti e pëlqehen shumë edhe nga qytetarët. Megjithatë për çmimin e tyre po ankohen qytetarët.

Së bashku me shtëpizat, “Caroseli” dhe patinazhi janë sivjet në dispozicion për fëmijët.

Përderisa gjatë vitit të kaluar u diskutua shumë çmimi i lartë i patinazhit, edhe sivjet çmimet nuk janë aspak të lira. Për patinazh duhet paguar deri në 9 euro, përderisa për “Caroselin” sivjet çmimi është më i lartë se vitin e kaluar.

Megjithëse nuk u deklaruan para kamerave, qytetarët thonë se çmim i lartë është edhe i pijeve. 2.5 euro është çmimi për një çokollatë të nxehtë dhe verë të nxehtë.

E “Wonderland” i vendosur te sheshi “Adem Jashari” është risia për sivjet për këtë festival.
Shfrytëzimi i lojërave në këtë kënd do të kushtojë 2 euro për secilën nga to.