Për ta shënuar natën e Vitit të Ri, Komuna e Prishtinës ka organizuar disa aktivitete festive. Temperaturat e ulëta zbehën interesimin e qytetarëve për të festuar në ambiente të hapura. Disa nga ta gjatë ditës shprehen dëshirën për një vit më të suksesshëm, por edhe shpresat për një zhbllokim politik dhe zhvillim të mëtejshëm të Kosovës.
Pothuajse të zbrazura ishin sheshet e kryeqytetit në ditët e fundit të vitit 2025.
Për shkak të temperaturave të ulëta, të pakët ishin qytetarët që zgjodhën ambientet e hapura për të festuar.
Megjithatë, për të shënuar ndërrimin e moteve Komuna e Prishtinës, në kuadër të përgatitjeve për festën e Vitit të Ri, ka organizuar koncerte me artistë dhe grupe të ndryshme muzikore.
Aktivitete festive janë paralajmëruar të nisin që nga ora 18:00, për të vazhduar deri në orën 1:00 pas mesnate.
E gjatë ditës qytetarët kanë shprehur urime për vitin e ardhshëm.
“Shpresojmë të bëhet mirë, dashtë Zoti e më mirë të bëhet, e kjo mos të harrohet. Shpresojmë të mos na bie ta harrojmë. Urime kalofshi mirë”, ka thënë Nexhmije Sejdiu.
Disa nga ta theksuan edhe shpresat për një situatë të zhbllokuar dhe të suksesshme në aspektin politik.
“Presim që qeveria e cila ka fituar... Sa më shpejtë të formohen institucionet edhe me fillu funksionimi i shtetit, të përfitojë qytetari i Kosovës. Uroj që të mos ketë bllokada siç ka pasur këtë vit. Uroj që sa më shpejt të shoh pozitë dhe opozitë të bashkëpunojnë, nuk kanë nevojë të duhen dhe të përqafen por së paku për gjëra madhore shtetërore të jenë të njëjtën mendimi dhe të ecim tutje, sepse Kosova ka potencial të madh”, ka thënë Naim Bunjaku.
“Shpresa ekziston. Ajo vdes e fundit, dhe ka mbetur dhashtë Zoti të mbushen mend për këta që i kemi votuar të mos punojnë me inati dhe bllokada dhe atëherë edhe populli të reflektojë. Ka kaluar koha e vjetër mbas atij që ka merita, por të shkojmë tek ai që ka ide programe dhe vizion për zhvillimin e Kosovës për përparimin për ekonominë më të ndritshme, prosperitet për rininë”, ka deklaruar Ilir Binaku.
E Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë me kujdes dhe përgjegjësi.
Me kalendarin shtetëror, ditë feste në vend për ta shënuar Vitin të Ri janë 1 dhe 2 janari.