Në moshën 84-vjeçare, të mërkurën në mëngjes ka vdekur Mexhit Haziri, veteran i njohur i arsimit e i sportit në Komunën e Gjilanit.
Haziri ka qenë profesor i lëndës së edukimit fizik e për shumë vjet drejtor i shkollës fillore në Zhegër, që dikur mbante emrin "Bashkimi" e pas luftës "Agim Ramadani".
Është iniciator i themelimit të klubit të futbollit “Zhegra” më 1958, e dhjetë vjet më vonë edhe themelues e anëtar i klubit të hendbollit “Zhegra”.
Pas luftës ka vazhduar mbështetjen e sportit, duke vënë në shërbim përvojën profesionale dhe organizative për klubin e hendbollit që për afro 10 vjet bëri gara në Superligën e Kosovës.
Haziri është më meritori që në vitet ‘70 e ‘80, Zhegra u dallua edhe për aktivitete të pasura kulturore. Kontribuoi në funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës, e cila më pas u bë shtëpi e përhershme e shoqërisë artistike "Idriz Seferi", po ashtu shtëpi e kinemasë, e bibliotekës e të institucionit parashkollor. Në vitet e përpjekjes për emancipim, ai u angazhua për përmirësimin e infrastrukturës e të shërbimeve shëndetësore, të transportit publik e të telekomunikimit, duke e shndërruar Zhegrën në një lokalitet urban.
Veprimtaria e tij mbi 60-vjeçare e ka bërë atë një nga aktivistët më të shquar jo vetëm në Komunën e Gjilanit.
Në nderim të veprës së tij, të enjten në mesditë, mbahet akademi përkujtimore. Një orë më pas bëhet ceremonia e varrimit.