Arbëri

Vdiq gazetari shqiptar në Amerikë, Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Ka vdekur gazetari shqiptar që vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Astrit Lulushi.

Lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe poetit e dhanë kolegë e miq të tij.

“Sa keqardhje për Astrit Lulushin, kolegun tonë të Zërit të Amerikës! Sot në mëngjes mësova me tronditje se ishte ndarë nga jeta pas një operacioni të vështirë në veshkë. Astriti ishte fjalëpak, por me një mendje prej filozofi dhe shpirt prej poeti. Ato që nuk i thoshte me gojë i ka lënë në shumë e shumë libra interesantë që botoi gjatë viteve. Aty, ai fliste për kuptimin e jetës, analizonte natyrën dhe dijen njerëzore, veset dhe virtytet, tregonte për historinë dhe për njerëzit e saj të shquar, zhytej në honet e qenies njerëzore si askush tjetër për të eksploruar misteret dhe provokuar pyetje”, ka shkruar për të gazetari Ilir Ikonomi në Facebook.

Astrit Lulushi u lind më 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga sistemi diktatorial më 1985 dhe një vit më pas nisi punën në radion “Zëri i Amerikës”. Sipas biografisë së tij, ai në këtë radio shërbeu në të gjitha detyrat: folës, përkthyes, gazetar, shkrimtar dhe producent.

Është autor i gjashtëmbëdhjetë librave, mes të cilave: ‘Pak ndryshe’ dhe ‘Ndjenjë realiteti’ nga Botimet Tirana Times, ‘Zhgënjime sporadike; nga Botimet Dudaj, ‘Kujtesë lirie’ nga Botimet Tirana Times, ‘Sonete të Shekspirit’ nga Botimet Toena, ‘Kalendar historik’, ‘Dije të heshtura’, ‘Pak ajër’, ‘Pa kufizim’ dhe ‘Pa vazhdim’ nga Botimet Tirana Times, ‘Dije pak të thjeshta’, ‘Realitet dhe vetëdije’ dhe ‘Botë dhe mistere’ nga Botimet Uegen, ‘Dëshmi dhe kujtesë’ nga Botimet QTAL, ‘Përshkëndijime’ dhe ‘Udhë pa udhë’ nga Botimet Tirana Times.