Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe institucioneve të Kosovës, po vazhdon fushata e linçimit ndaj policëve të rinj serbë që kanë nisur detyrën në fillim të kësaj jave.
Sërish janë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë policëve të tjerë në rrjetin social rus, Telegram.
Në përshkrimin e fotografisë gjithashtu ka pasur edhe një përgjigje për reagimin ndërkombëtar ndaj kësaj fushate linçuese.
“Meqenëse të gjithë ambasadorët perëndimorë, përfshirë edhe kreun e EULEX-it, kanë reaguar sot për publikimin e 5 emrave të serbëve që kanë filluar të punojnë në të ashtuquajturën Policia e Kosovës, duke e quajtur ‘kërcënim’ që është absurd total dhe asnjëri prej tyre nuk reagon kur populli serb sulmohet, arrestohet, kidnapohet në Kosovë, po publikojmë edhe 5 emra të tjerë”, thuhet në përshkrimin e fotografisë.
Gjatë ditës së mërkurë kanë reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti të cilët e kanë quajtur të papranueshme fushatën linçuese ndaj policëve serbë, ndërkohë që është kërkuar edhe reagimi i ndërkombëtarëve.
Për këtë kanë reaguar edhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i Britanisë Nicholas Abbott të cilët kanë kërkuar që një fushatë e tillë të ndalet, duke potencuar se Policia e Kosovës duhet të ketë diversitet.
Të mërkurën janë publikuar emrat dhe fotografitë e pesë policëve të rinj serbë, derisa është paralajmëruar se edhe emrat të tjerë do të publikohen.
Edhe
Shqetësime për dorëheqjen e policëve serbë që iu nënshtruan presionit në veri
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar për raportimet se ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb ka nisur një fushatë linçuese nga përdorues serbë të rrjeteve sociale.
Ai e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.
-
Përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë dënojnë frikësimin e policëve të rinj serbë
-
Abbott: Të papranueshme kërcënimet ndaj atyre që duan të shërbejnë për shtetin
-
Osmani: Kërcënimet ndaj policëve në veri vijnë nga Serbia dhe grupet e saj kriminale
-
Kurti: Ndërkombëtarët të jenë të zëshëm ndaj trysnisë së Beogradit kundër integrimit të serbëve