Arbëri

Përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë dënojnë frikësimin e policëve të rinj serbë

Shqetësuese dhe e papranueshme është kualifikuar fushata e nisur në rrjetet sociale kundër policëve serbë që në fillim të javës nisën shërbimin në veri, në kuadër të Policisë së Kosovës. Frikësimi i hapur i tyre nga përdorues serbë është dënuar nga institucionet e Kosovës e edhe nga përfaqësues diplomatikë

Shqetësim rreth fushatës linçuese në rrjete sociale ndaj policëve serbë, që e nisën shërbimin në kuadër të Policisë së Kosovës në veri, është shprehur të mërkurën nga faktori vendor e ndërkombëtar.

Gjithsej 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, 45 prej të cilëve serbë, e nisën punën në katër komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë, në fillim të kësaj jave. Por menjëherë pas kësaj, përdorues serbë nisën t’i publikojnë në rrjete sociale fotografitë dhe emrat e tyre, tek paralajmëruan edhe publikimin e të tjerëve.

Këtë veprim, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka kualifikuar të papranueshëm.

“Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet ta pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka theksuar ambasadori Hovenier.

Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, i ka quajtur të papranueshme kërcënimet që po u bëhen policëve të rinj serb në Kosovë.

“I ndaj plotësisht këto shqetësime. Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan të kontribuojnë për shtetin e tyre, janë të papranueshme”, ka theksuar Abbot.

E ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kërkoi që fushata e frikësimit të policëve të rinj të ndalet menjëherë.

“Fushata e frikësimit është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka theksuar ambasadori gjerman.

Fushata e nisur ndaj policëve serbë është dënuar edhe nga përfaqësuesit më të lartë shtetërorë.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që njerëzit që i prijnë fushatës kërcënuese e linçuese ndaj policëve të rinj të përballen me drejtësinë.

“Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë me policët tanë, ndërsa ata me guxim shërbejnë për një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka theksuar presidentja Osmani.

E kryeministri Albin Kurti linçimin i policëve të rinj e kualifikoi të papranueshëm. Ai i përgëzoi për kurajën për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe vullnetin për t’i shërbyer rendit dhe sigurisë në vend, të 46 policët e rinj nga komuniteti serb.

“Fushatat në kanale e platforma sociale që ka për qëllim kërcënimin dhe frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne edhe pse jam i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vet tyre. Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, sepse janë profesionistë të guximshëm, ata edhe janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, sepse janë qytetarë që kanë dashurinë për vendin dhe e shprehin këtë duke i kontribuar atij”, ka thënë kryeministri Kurti. “Faktori ndërkombëtar duhet të dënoj zëshëm çfarëdo fushate të organizuar linçimi e kërcënimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë. Në të njëjtën kohë duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e plotë të tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës”.

Kanë reaguar edhe përfaqësues të subjekteve në opozitë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se presionet dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera në veri, që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, janë të papranueshme dhe përpjekje për të sabotuar depërshkallëzimin dhe qetësimin e situatës.

“Pjesëtarët e komuniteteve pakicë, përfshirë këtu edhe serbët, duhet të lejohen të lirë në realizimin e të drejtave të tyre qytetare”, ka thënë Haradinaj. “Qytetarët serbë dhe çdo pjesëtar i komuniteteve pakicë duhet ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre dhe të integrohen plotësisht në institucionet e Kosovës”.

Policët e rinj në veri i zëvendësojnë rreth 500 syresh që në nëntorin e shkuar u larguan nga Policia e Kosovës. Dorëheqja e policëve dhe e zyrtarëve të tjerë serbë në veri u ndërmor në shenjë kundërshtie ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me vendimin për ndalimin e targave ilegale të veturave që Serbia i lëshonte ilegalisht.