Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të jetë më i zëshëm për të dënuar trysninë e Beogradit ndaj serbëve që po integrohen në Kosovë.
Kurti ka përgëzuar policët e rinj të komuniteteve joshumicë që së fundmi janë bërë pjesë e Policisë së Kosovë, veçanërisht 46 serbët, të cilëve shefi i ekzekutivit u ka vlerësuar kurajon.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se janë të papranueshme fushatat e linçimit ndaj policëve të rinj serbë që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
“I përgëzoj për kurajon për të qenë pjesë e Policisë, sidomos 46 serbët. Fushatat linçuese janë të papranueshme për ne, edhe pse ato janë shpërfillur nga vetë ata [policët e rinj serbë]. Ata janë pjesëtarë që e kanë dashurinë për vendin. Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë çfarëdo fushate linçimi, duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit ndaj integrimit të serbëve. Ata që integrohen jetojnë më mirë, ky është fakt. Ata që nuk integrohen, mbesin peng të politikave të Beogradit”, ka thënë Kurti në konferencë për media të mërkurën.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. 46 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq. Ndaj policëve serbë, ka nisur një fushatë linçuese nëpër rrjetet sociale nga përdoruesit serbë.