Dy këshilltarë të rektorit të Universitetit të Prishtinës janë kompensuar nga linja buxhetore për mallra dhe shërbime, pasi Ministria e Financave nuk e ka miratuar përfshirjen e tyre në listën e pagave. Vendimi për kompensim është marrë në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike
Universiteti i Prishtinës i ka paguar dy këshilltarët e rektorit, Bekim Muhaxherin dhe Rina Mehanën, pa miratimin e Ministrisë së Financave. Në kundërshtim me ligjin, pagat janë siguruar nga linja për mallra e shërbime.
KOHA ka siguruat një vendim për kompensim retroaktiv të pagave që në fillim të vitit Këshilli Drejtues i UP-së e ka marrë me kërkesë të rektorit, Arben Hajrullahu.
“Ky vendim është në fuqi deri në gjetjen e zgjidhjes për regjistrim në listën e pagave për të lartpërmendurit sipas legjislacionit në fuqi nga Ministria e Financave, Ministria e Punës së Brendshme dhe Thesari i shtetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues.
Në vendim thuhet se për arsye të paqarta, Ministria e Financave nuk i ka përfshirë në listën e pagave këshilltarët e rektorit.
“Këshilli Drejtues shqyrtoi kërkesën e paraqitur në mbledhjen e datës 16.01.2025 nga rektori I UP-së, prof. Arben Hajrullahu lidhur me mosrealizimin e pagës për dy këshilltarët e tij, respektivisht nga data 01 tetor 2024 për Bekim Muhaxherin dhe 22 tetor 2024 për Rina Mehanën nga ana e Ministrisë së Financave për arsye të paqarta edhe pse deri në 30 shtator 2024, përmes listës së pagave ka realizuar të ardhura mujore ish këshilltarit paraprak”, theksohet në arsyetimin e vendimit të Këshillit.
Burime të KOHA-s treguan se të dy këshilltarët vazhdojnë punën në Rektorat dhe po paguhen sipas këtij vendimi të Këshillit Drejtues.
Por, prej tri ditësh, as Rektorati i UP-së dhe as Ministria e Financave, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me pagat e këshilltarëve të rektorit.
Mbulimi i pagave nga linja e buxhetit për mallra dhe shërbime është në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
“Një organizatë buxhetore mundet, pa marrjen e miratimit paraprak nga Ministri, të transferojë deri në pesë për qind (5%) të një ndarje buxhetore në një ndarje tjetër të asaj organizate buxhetore gjatë vitit fiskal; megjithatë, këto transfere nuk mund të bëhen në ndarjen buxhetore për paga dhe mëditje pa miratimin paraprak të Ministrit dhe, sipas rastit, Qeverisë ose Kuvendit, sipas paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni”, precizon Ligji.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja thotë se ky rast tregon edhe për keqplanifikim
“Pikësëpari, dështimi në futje të zyrtarëve përgjegjës në listën e pagave është për keqardhje, dhe na ka prezantuar në një situatë sikurse kjo ku domosdoshmërisht në përgjegjësi ndaj individëve institucionet duhet me gjetë një zgjidhje për kompensim financiar për punën që ata e bëjnë sipas kontratës së tyre. Kjo situatë na thërret edhe njëherë për përgjegjësinë që mbi të gjitha kanë institucionet publike në mirë planifikim buxhetor dhe alokim të linjave buxhetore për paga”, ka thënë ai.
Ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë ua kanë mundësuar institucioneve të kontraktojnë punëtorë edhe me tenderë, por këshilltarët nuk janë angazhuar nëpërmjet kësaj formule që mundëson pagesën jashtë linjës buxhetore për paga dhe mëditje.