Arbëri

UP-ja kërkon hetim për ndërtimin e një objekti brenda natës në kampus

UP-ja kërkon hetim për ndërtimin e një objekti brenda natës në kampus

FOTO: Universiteti i Prishtinës

Universiteti i Prishtinës (UP) i ka bërë thirrje Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Prishtinës dhe institucioneve tjera ligjzbatuese të verifikojnë ligjshmërinë e një ndërtimi shtesë që, sipas UP-së, është ngritur pa leje në kampusin qendror të universitetit, pranë objektit të Administratës Qendrore.

Sipas njoftimit, objekti është ndërtuar gjatë natës së 25 tetorit, ndërsa për punime të dyshimta në atë pjesë të hapësirës, UP-ja kishte njoftuar Inspekcionin komunal edhe më 23 shtator dhe përsëri më 25 tetor.

“Drejtori i Inspekcionit, së bashku me zyrtarë të universitetit, kanë dalë në vendin e ngjarjes më 27 tetor për të parë nga afër situatën”, thuhet në njoftim.

UP-ja ka kërkuar nga organet komunale dhe shtetërore që, nëse vërtetohet se shtesa e ndërtuar nuk posedon leje ndërtimore, ajo të rrënohet dhe të rikthehet gjendja e mëparshme, siç ishte para muajit shtator 2025.

Në njoftim thuhet gjithashtu se në hapësirën ku është bërë ndërtimi ekzistojnë “dyshime të bazuara” për zhvillim të veprimtarive që mund të jenë të paligjshme dhe që nuk përkojnë me funksionet e një kampusi universitar.

Universiteti i Prishtinës thekson se mbetet i përkushtuar për ta përdorur hapësirën e tij vetëm për forcimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, “për të mirën e përgjithshme dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.