Djali i Ibrahim Rugovës, Uka, do të jetë pjesë e listës për deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e familjes së ish-presidentit Rugova.
“Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës. Ukë, të priftë e mbara në këtë garë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Zyrtarizimi u bë pas një vizite që kryesia e LDK-së ka bërë te familja e ish-presidentit Rugova, në ditëlindjen e 81-të të tij.
“Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne. Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”, ka shkruar Abdixhiku.
Ukë Rugova ishte bërë deputet në vitin 2010 me listën “LDK-Ibrahim Rugova”. Më vonë ishte arrestuar nën dyshimet për krim të organizuar për rastin e vizave italiane. Pas disa vitesh proces është liruar si i pafajshëm.