Arbëri

Ujërat e zeza të Orllanit derdhen në liqenin e Batllavës

Ujërat e zeza të fshatit Orllan vazhdojnë të derdhen në Liqenin e Batllavës, nga i cili qytetarët e shumë komunave furnizohen me ujë për pije. Banorët ankohen se nuk i panë efektet e një projekti që u realizua për kolektor dhe impiant, e në Komunën e Podujevës paralajmëruan realizimin e një projekti të ri

Një rrjedhë që përmban ujërat e zeza të bizneseve e shtëpive të fshatit Orllan të Podujevës derdhet në liqenin nga i cili furnizohet me ujë për pije gjysma e Kosovës.

Ymer Bajrami banon në këtë pjesë dhe ankohet për këtë situatë.

“Krejt kanalizimi derdhet në liqen, fije për fije. Të restoranteve, të shtëpive derdhen sepse projekti ka dështuar. E kanë vendosur një gyp të ngushtë në fillim. Shumë keq, kësajde kalojnë edhe njerëzit, edhe veturat shpesh mbesin. Këtu derdhen, pak më larg, tek ura në disa vende”, thotë ai.

Në fshat është realizuar projekti i financuar nga Qeveria zvicerane dhe implementuar nga konsorciumi DORSCH-CDI, që përfshin edhe ndërtimin e kolektorit dhe impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të zeza.

Drejtori i organizatës CDI, Astrit Vokshi, nuk ktheu përgjigje në pyetjet e KOHËS përkitazi me zbatimin e projektit.

Në KRU Prishtina thanë se ende nuk e kanë pranuar impiantin për trajtimin e ujerave të zeza.

“Ne jemi në proces të pranimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza për fshatin Orllan. Impiant i financuar nga donatorët”, thuhet në një përgjigje të shkruar.

E, Ymer Bajrami thotë se efektet e investimit nuk janë ndier.

“Para ujësjellësit ia nisën me ndërtu kanalizimin dhe rrjeti i kanalizimit mbas një kohe është përfunduar, qysh na kanë thënë ata. Por rrjeti i kanalizimit ka dështuar komplet”, thotë ai.

Në Komunën e Podujevës thanë se projekti nuk ka përfshirë të gjithë fshatin dhe nuk ka eliminuar plotësisht ujërat e zeza nga liqeni. 

“Meqenëse edhe tash ka probleme të tilla në fshatin Orllan, shumë shpejt do të fillojmë hartimin e një projekti për të eliminuar në tërësi ujërat e zeza nga liqeni i Batllavës si dhe do të funksionalizojmë impiantin, përfshirë stacionin e pompimit, i cili prej asaj kohe është jashtë funksionit”, thuhet në përgjigjen e komunës.

E, në Ministrinë e Mjedisit thanë se nuk kanë informacion për derdhjen e ujërave të zeza në Batllavë.

“Në Inspektoratin e MMPH-së, në tre-katër vjetët e fundit nuk ka pasur ndonjë informatë për shkarkim të ujërave të patrajtuara në Liqenin e Batllavës”, ka theksuar ministria në një përgjigje.
Projekti i nisur më 2017-n u realizua në dy faza. Me njërën është synuar ndërtimi i kolektorit për grumbullimin e ujërave të zeza, ndërsa me tjetrën ngritja e impiantit për pastrimin e këtyre ujërave.