Arbëri

Trupat shtesë të Turqisë do të largohen nesër nga Kosova

Forcat rezerve të Turqisë të dislokuara në Kosovë do të kthehen të mërkurën, ka thënë të martën Ministria e Mbrojtjes turke, transmeton Anadolu Agency. 

“Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global brenda kuadrit të detyrave në OKB, NATO, BE dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe monitoron nga afër zhvillimet në Ballkan, ku ekzistojnë vlera të përbashkëta historike dhe kulturore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë turke.

Turqia vendosi trupa shtesë në Kosovë në qershor në përgjigje të kërkesës së NATO-s pas tensioneve të fundit në veri.

“Njësia jonë e dislokuar, pas mbërritjes së saj në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 6 qershor 2023, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurimin e paqes në Kosovë ndërmjet 10 qershorit dhe 31 gushtit dhe ka përmbushur me sukses misionin e saj”, thuhet në njoftim.

Tensionet në veri, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët zhvilluan protesta, duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Kërkesat e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët bojkotuan zgjedhjet lokale të 23 prillit, u mbështetën nga Beogradi zyrtar.

Tensionet përshkallëzuan më 29 maj, kur pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u përleshën me protestuesit serbë. Për pasojë pati dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.