Arbëri

Trumpi ankohet pse nuk mori Nobel për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, është ankuar pse nuk ka marrë një çmim Nobel për Paqe, për punën e tij në arritjen e marrëveshjes së Washingtonit për normalizim ekonomik Kosovë-Serbi gjatë mandatit të tij të parë si president.

Të premten para gazetarëve, Trumpi u pyet për një propozim që ai meriton çmimin Nobel nëse arrin t’i japë fund luftimeve Iran-Izrael.

“Epo, është dashur të më jepnin Nobelin për Ruanda-Kongo ose mund të thoni Serbia dhe Kosova... mund të thoni për shumë. E madhja është Indi-Pakistan... por nuk më japin sepse atë ua japin vetëm liberalëve”, ka thënë ai.

Nuk është hera e parë që Trumpi e ka përmendur si arritje të madhe Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtator 2020, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë. Ai ditë më parë u shpreh se gjatë mandatit të tij të parë konflikti Kosovë-Serbi “ishte gati të shpërthente në luftë”. Madje akuzoi ish-presidentin Joe Biden se e ka dëmtuar perspektivën afatgjate me vendime të gabuara, teksa paralajmëroi “se do ta rregullojë sërish”.

Marrëveshja në fjalë njihej si marrëveshje për normalizim ekonomik dhe kishte të bënte me mbështetje të çështjeve të energjisë, lidhjeve rajonale. Madje përmbante edhe një moratorium për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.