Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tri fshatra kërkojnë zhbllokimin e vendkalimeve në aksin Pejë-Zahaq

Dhjetëra banorë të fshatrave Pavlan, Qyshk dhe Bllagajë, të premten, kanë protestuar në fshatin Qyshk për zhbllokimin nga barrierat të vendkalimeve të lëna për automjete në disa vende, në segmentin rrugor të gjatë 7 kilometra nga Peja deri në Zahaq, të autostradës Pejë-Prishtinë.

Prej që është përuruar ky segment rrugor, tetorin e vitit të kaluar, në afërsi të secilit fshat, që gjendet përgjatë kësaj rruge nga të dy anët, ishin lënë mesit të rrugës hapësira të pathurura me pengesa metalike, që banorët të kenë mundësi të qasjes më të lehtë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, pa pasur nevojë të shkohet rreth e rrotull deri në Pejë apo deri në Zahaq për të kaluar anën tjetër të rrugës.

Mirëpo, siç thotë Afrim Kelmendi, nga këshilli organizativ i kësaj proteste, me një urdhëresë të Ministrisë së Infrastrukturës, para dy ditësh, janë bllokuar këto vendkalime, dhe banorëve u është bërë e pamundur të kalojnë anën tjetër të rrugës si deri tash.

“Arsyeja pse sot jemi në protestë është urdhëresa e lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës para tri ditësh që të mbyllen të gjitha këto vendkalime në këtë segment rrugor nga Peja deri në fshatin Zahaq, i gjatë 7 kilometra. Për mosbllokimin e këtyre vendkalimeve edhe vjet, e edhe sivjet kemi takuar ministrin Pal Lekaj, i cili këtu në vend të ngjarjes na ka premtuar që gjithsesi do t’i marrë në konsideratë kërkesat tona, por ndodhi e kundërta”, ankohet Kelmendi në emër të të gjithë banorëve që kishin dalë të protestonin.

Ai tregon se në ditët e kaluara operatori i kontraktuar nga Ministria, në asistim të njësitit special të policisë, i ka mbyllur këto vendkalime. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)