Ganimete Hyseni prej 30 vjetësh punon si mësimdhënëse e gjuhës shqipe. Në fillimet e saj, ajo ishte përballur menjëherë me vështirësi për shkak të situatës politike që ekzistonte në Kosovë.
Hyseni, e cila tani është mësimdhënëse në shkollën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, e ka përshkruar punën e saj që e nisi në një fshat të vogël të Obiliqit e që nxënësit e parë i kishte të komunitetit serb.
“Dita imë e parë si mësimdhënëse është interesante sepse për herë të parë kam punuar në një fshat të Obiliqit, në Plemetin, atje kam punuar me komunitetin serb. Ka qenë gjenerata e parë që nuk e kanë pranuar gjuhën shqipe si gjuhë të dytë. Ka qenë shumë e vështirë sepse situata në vitin 89 e dimë si ka qenë dhe ka qenë vështirë të zhvillohet mësimi sidomos me një komunitet që nuk e pranonte gjuhën shqipe dhe rrethanat politike ishin shumë të vështira. Në ato rrethana kemi shkuar në vendin e punës”, ka treguar ajo në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Hyseni ka thënë se megjithatë arsimi ka qenë i organizuar mirë në vitet 90, edhe pse siç theksoi ajo, nuk ka qenë si sot.
Ajo ka treguar se metodë të mësimit sot e ka që t’i angazhojë më shumë fëmijët të cilët janë më pak të përkushtuar. Ndërsa, ka deklaruar se raporti mes mësimdhënësit dhe nxënësit sot ka ndryshuar.
Edhe
Mësimi në rezistencë dhe në liri
“Raporti mësimdhënës-nxënës ka ndryshuar, por autoriteti nuk është ulur. Dhuna nuk duhet të përdoret, është mjeti i fundit që duhet të përdoret. Nxënësit duhet të shprehen, jo si në kohën tonë që e kemi adhuruar mësuesit, por sot jemi më të lirë me nxënësit. Komunikimi është përmirësuar, nxënësit janë më të lirshëm, janë më inteligjentë, hulumtojnë, kanë mundësi”.
Infrastrukturën në arsim Hyseni e sheh në nivel të ulët.
“Është për të dëshiruar niveli i infrastrukturës në arsim. Duhet të përmirësohet që nxënësi të ketë mundësi më shumë dhe mësimdhënësi të arrijë rezultate më të mira”.
E përkushtuar në detyrën e saj që e ushtron prej tri dekadash, Hyseni shprehet se e do “shumë arsimin, nxënësit dhe mësimdhënien”.
Vetë tregon se si e nisi këtë udhëtim.
“Vetë e kam zgjedhur. E kam pasur vëllain profesor dhe e kam parë si idol. Gjithmonë s'e kam parë veten në asnjë fushë tjetër, vetëm në fushën e arsimit. Çdo ditë e imja në shkollë, është ditë e gëzueshme”.
Ndërkohë, është shprehur kundër vlerësimit të mësimdhënësve. Sipas saj, vlerësimi tash e nënçmon gjeneratën që vlerësoi mësimdhënësit aktualë.
Edhe
Mbijetesa e arsimit të pavarur në gjuhën shqipe në Kosovë në vitet ‘90
“Jo që frikësohemi, por atëherë po i nënçmojmë edhe ata që na kanë vlerësuar ne. Jam kundër, sepse po i nënçmojmë. Unë e para do të isha futur në vlerësim, por nuk është e nevojshme”.