COSMO

Mësimi në rezistencë dhe në liri

Ky objekt i demoluar, që tashmë i është dorëzuar kohës, dikur qe godinë e rezistencës për mësimin në gjuhën shqipe.

Si kjo janë rreth 3 mijë të tjera që në vitet ‘90 shtruan rrugën për një kapitull të ri, atë të qëndrueshmërisë përballë përpjekjeve asimiluese për ta tjetërsuar historinë e Kosovës.

Kur një shkollë mbyllej, një shtëpi hapej. Kushtet e jashtëzakonshme nuk e zbehnin qëllimin për arsimim.

Shqiptarët ishin gati t’i përgjigjeshin dëshirës së nxënësve për mësim e vullnetit të mësimdhënësve, pavarësisht pasojave.

Tri dekada pas, kur vështirësitë për arsimim të lirë i takojnë së kaluarës, sfida e së tashmes është cilësia në arsim.

Ganimete Hyseni ka mbi tridhjetë vjet që e ushtron profesionin e mësimdhënëses.

Ajo profesionin e saj si mësimdhënëse e lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe e filloi në kohën kur komuniteti serb në Kosovë nisi të kundërshtojë mesmin në gjuhën shqipe.

Puna saj në fshatin Plemetin të Komunës së Obiliqit me nxënësit serbë çdo ditë ishte sfiduese. Me gjithë kundërshtimet e tyre që zërat shqip të mos dëgjoheshin, ajo nuk u zmbraps.

“Me provokimet nga më të ndryshme, na kanë bërë provokime. Atëkohë edhe ka qenë koha e helmimeve e më kujtohen shumë nxënës që ende i kam të parafytyruara gjendjet e tyre. Nuk kemi qenë mirë as emocionalisht, shpirtërisht dhe as fizikisht, nuk kemi arritur të mbanim siç kemi dashur mësimin në ato kushte e edhe provokimet në anën tjetër që na bënin të gjitha e kanë bërë të vështirë”, tha Hyseni.

Në vitin 1989, me heqjen e autonomisë, Kosova humb fuqinë ekzekutive mbi arsimin.

Vendimet për planprogramet shkollore filluan të vendoseshin në Beograd, ndërsa veprimet e pushtetit të Serbisë për pengimin e mësimit në gjuhën shqipe u ashpërsuan.

Për t’u rezistuar veprimeve asimiluese të okupatorit pas një viti pauze pa mbajtur mësim në vitin 1992, u krijua një rrjet paralel i arsimit.

Rreth 3.000 objekte private, që kryesisht ishin shtëpi banimi, zëvendësuan hapësirat e shumicës së shkollave të mesme dhe Universitetit të Prishtinës.

Megjithëse kishte mungesa të theksueshme të materialeve mësimore e të burimeve njerëzore e me pengesa nga pushteti serb, mësimdhënësve dhe nxënësve nuk iu shuan vullneti për të vazhduar misionin e tyre që mësimi në gjuhën shqipe të triumfonte.

Dëbimet me dhunë të nxënësve e mësimdhënësve nga institucionet arsimore u bënë edhe në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë.

Por kjo nuk frikësoi mësimdhënësit që procesin mësimor ta vazhdonin në shtëpi-shkolla. Bedri Nishevci, i cili ende e ushtron profesionin e mësimdhënësit, i ka të freskëta kujtimet kur vendosi që t’i bashkëngjitej rezistencës.

“Kemi shumë përjetime, duke filluar që ditarët i kemi shti me i fsheh, pasi kanë qenë si fletore ato, e i kemi shti herë në shpinë, herë në xhep që të mos duken. Sa e sa herë jemi takuar me policinë dhe po të na zinin ditarët do të kishte pasuar diçka e keqe, por vullneti ka qenë tepër i madh. Me të vërtetë ajo gjeneratë e mësimdhënësve për mua janë heronj. Kemi punuar në kushte shumë të vështira, shumë të rënda”, tha Nishevci.

Pjesë e gjeneratave të gjimnazit në Podujevë që procesin mësimor e zhvilluan në kushte të pazakonta ishte edhe Skender Halimi, që tani është drejtor në shkollën “Hilmi Rakovica” në kryeqytet.

Me gjithë vështirësitë e mungesën e kushteve, ai vlerëson se kanë arritur në atë periudhë t’i fitojë njohuritë dhe shkathtësitë në zhvillimin intelektual të tij.

“E kujtoj shumë shpesh nuk kemi pasur banka e karrige. I kemi pasur vetëm disa dërrasa, disa copa të betonit apo të bllokut dhe kemi shkruar pasi tekste nuk kemi pasur, shumë pak ka pasur tekste atëherë. Shënimet i kemi marrë duke u ulur në gjunjë, ose e kemi vendosur fletoren në shpinë të njëri-tjetrit. Ai që ka qenë përpara është dashur të ulej në gjunjë të shkruante e ne përmbas kemi vazhduar të shkruanim duke e vendosur fletoren në shpinën e njëri-tjetrit”, tha Halimi.

Shtëpia e Herticëve në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë tani është shndërruar në vend për ruajtjen e kujtesës kolektive për atë periudhë.

Kjo është shtëpia që familja e Azemine Aliut i hapi dyert në vitet ‘90 për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Dy javë para se ta gëzonin shtëpinë e re që e kishin pritur me padurim, babai i Azeminës vendosi që ta kthente atë në hapësira shkollore.

“Në shtëpi-shkollë orët janë mbajtur sikur tani që mbahen në shkollat e shtetit me dy ndërresa, prej orës 7:00 deri në orën 6:30 ka qenë mësimi. Në ndërresën e parë kanë qenë 300 nxënës. Tani në ndërresën e dytë 300 nxënës. Po ashtu kanë qenë edhe dy shpija shkollë të ekonomisë që axha dhe një kushëri i kanë lëshuar. Mirëpo, mësimi ka vijuar shumë mirë”, tha Aliu.

Njëjtë si familja e Azeminës vepruan edhe dy të afërmit e tjerë. Por, dëshmi të dy shtëpive të tjera ku mbajtën mësimin Shkolla Ekonomike dhe ajo Teknike kanë mbetur vetëm në fotografi.

Shtëpitë tani janë shndërruar në hapësira banimi.

Aliu fajëson institucionet për mungesë të interesimit për t’i marrë ato nën përkujdesje të shtetit dhe për të promovuar sakrificën që është bërë për të organizuar sistemin paralel të arsimit.


“Si cicerone jam qe 24 vjet, pa asnjë mbështetje unë e tregoj historinë e shtëpive-shkollë. Deri më sot nuk kemi pasur asnjë mbështetje në këtë shtëpi-shkollë, asnjë intervenim nuk është bërë nga shteti e as nga komuna”, tha Aliu.

E objektet, të cilat për gjimnazistët e Podujevës shërbyen si tempull i dijes janë kthyer në biznese private.

Aty nuk është e vendosur asnjë shenjë që tregon historinë që ngërthejnë pas vete këto objekte.

Profesori Nishevci, i cili me profesion është sociolog, tregon rëndësinë që objektet e tilla duhet të ruhen dhe të promovohen tek gjeneratat e reja.


“S’do të duhej të lejohej as pronari i cili ka lëshuar objektin, do të duhej shteti të merrte masa qoftë në formë pagese që ajo të ruhej gjatë, që gjenerata e gjenerata më tutje t’u tregojmë në çfarë nivelesh, në çfarë historish ka kaluar populli ynë. Kjo mund t’u shërbejë atyre si diçka pozitive, assesi t’i harrojmë gjërat...Merre me mend çfarë rëndësie ka sikur nesër prindi të marrë fëmijët e tyre dhe t’i vizitonte objektet për në cilat ka kaluar kohë dhe sot është doktor shkence dhe akademik, e kjo është një motiv shtysë edhe për ata fëmijë”, tha Nishevci.

Në mungesë të veprimeve nga institucionet qeverisëse, një ekip prej studentëve të asaj kohe kanë filluar procesin për identifikimin dhe dokumentimin e vendndodhjeve të “shtëpive-shkolla”.

Përmes një projekti të quajtur SpaceSyntaKs kanë krijuar një hartë digjitale të hapësirave që i kanë shërbyer organizimit dhe zhvillimit të mësimit në sistemin shtëpi-shkollë gjatë viteve ‘90 në Kosovë.

Deri më tani ata kanë identifikuar 937 shtëpitë-shkolla, të cilat i kanë publikuar në ueb-faqe ku u kanë bashkangjitur edhe historikun dhe disa pamje të atyre hapësirave.

Tani kur kanë kaluar 16 vjet qëkur Kosova jetësoi ëndrrën për liri, sistemi arsimor ballafaqohet me sfida krejtësisht të ndryshme me atë periudhë, por po aq të vështira sa në atë kohë.

Cilësia në mësimdhënie është e brishtë, tekstet shkollore posedojnë përmbajtje jo të saktë shkencore e shpeshherë në shpërputhje me kurrikulën. E dhomat mësimore vazhdojnë të jenë të varfra me mjete konkretizuese për mësimdhënie e mësimnxënie.

Në periudhën e shpërthimit digjital, Ganimete Hyseni vazhdon që procesi mësimor në klasa zhvillohet në mënyrë klasike.

Shkumësi është ende mjeti kyç i një ore mësimore.

Institucionet arsimore ende vuajnë nga mungesa e mjeteve teknologjike, përkundër se digjitalizimi është një nga pikat kryesore të Strategjisë së Arsimit.

Numri i kompjuterëve që posedojnë shkollat është i vogël për kokë nxënësi. Sipas të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim, një kompjuter është për 35 nxënës.


“Sa i përket infrastrukturës hapësinore, pak nga ne ende punojmë me mjete që i kemi pasur edhe para lufte. Mua më kujtohet që të njëjtat i kemi pasur, tabelën, shkumësin, fletoren e librin dhe nuk kemi diçka tjetër që nxënësin me motivua. Njëherë nxënësit organizohen me mbajtë një orë me projektor edhe ora është krejt tjetër, vëmendja është tjetër. Mirëpo, sa i përket infrastrukturës nëpër shkolla ka pasur zhvillime, mirëpo sa i përket procesit mësimor është pak, duhet bërë më shumë, thashë edhe më parë duhet ta kemi prioritet arsimin”, tha Hyseni.

Gjendja e tanishme e institucioneve arsimore publike është zhgënjyese për Azemine Aliun. Ajo thotë se shtëpia e saj që dikur shërbente si shkollë kishte kompjuter e ishte e pajisur me ngrohje qendrore, që tani disa shkollave u mungojnë këto elemente.


“Mua më vjen keq që kushtet sot nuk janë mirë, ato kushte janë tani sikur në shtëpinë time që kanë qenë, që kanë mësuar në shtëpi-shkolla, qeto kushte janë sot dhe asgjë nuk shoh ndryshim as në procesin e mësimit e as në mirëmbajtje e as për asgjë”, tha Aliu.

Në testimin e PISA-s, që organizohet çdo tre vjet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, janë shpërfaqur mangësitë e sistemit arsimor.