Kjo histori suksesi, pothuajse epike në natyrën e saj, duhet parë në dritën e asaj përpjekjeje të përgjithshme për shtetndërtim të viteve të ’90-ta, por ajo gjithashtu është edhe pjesë e një vetëdijeje tashmë të formuar shoqërore në Kosovë, që arsimimin e kishte ngritur në nivel kulti. Njerëzit e shkolluar shoqëria në Kosovë i shihte si profetë që kanë në dorë çelësin e së ardhmes, e asaj të ardhmeje në të cilën shoqëria do të ishte e lirë të fliste, shkruante e ëndërronte në gjuhën e vet
Një javë, saktësisht një javë mësim bëmë në vitin e parë të gjimnazit që filluam. Të hënën e javës së dytë, para dyerve të shkollës po qëndronte një patrullë e policisë serbe që nuk lejonte askend të hynte në objektin e shkollës. Pasoi një valë e protestave, por ajo s’ishte kohë kur protestat mund të ndryshonin gjë. Shkolla qëndroi e mbyllur me dry, administrata, profesorët dhe i gjithë stafi u larguan e nuk u lejuan të merrnin as ditarët dhe asgjë tjetër që u kishte mbetur aty. Ky gjimnaz ishte në Kaçanik, një qytet i vogël ku afërsisht rreth 98 për qind të banorëve ishin shqiptarë.
Kjo kartolinë dhune nga Kaçaniku, e atij fillim-shtatori të vitit 1991, është përsëritur edhe në dhjetra e qindra variante të saja, anekënd Kosovës. Shkollat shqipe të mesme, por edhe Universiteti i Prishtinës, u mbyllën dhe u morën nga regjimi serb, e nxënësit e studentët shqiptarë nuk u lejuan të hyjnë në to, deri pas përfundimit të luftës. Shkas i kësaj vale agresioni mbi arsimin shqip ishin planprogramet mësimore, të cilat regjimi kërkonte t’i zëvendësonte e unifikonte dhunshëm me ato të Serbisë. Shqiptarët natyrisht nuk e pranuan këtë gjë, madje e përbuzën me neveri.
Por ky refuzim kërkonte edhe alternativën. Një sistem i tërë arsimor tani duhej të vetorganizohej, në kushtet e një okupimi e shtetërrethimi policor, në kushtet e një regjimi që e konsideronte armiqësore çdo gjë që kishte të bënte me shqiptarët. Në vitin pasues shqiptarët krijua një rrjet e strukturë arsimimi që do ta mundësonte funksionimim e shkollave shqipe. Për një kohë, pas mbylljes së shkollave, nxënësit dhe mësuesit anekënd Kosovës mësimin e mbanin në ilegalitet e gjysmë-ilegalitet, në hapësira të improvizuara, objekte fetare, lëdina, objekte të braktisura e ngjashëm, por shpejt njerëzit filluan t’i ofronin shtëpitë e tyre falas. Gjatë asaj kohe, mbi 3200 shtepi private u dhanë në shërbim të arsimit paralel në Kosovë. Shtëpitë-shkolla, siç quheshin asokohe, u bënë bërthama që zëvendësoi shkollimin e mohuar në objektet publike, në to u edukuan 9 gjenerata të ardhshme nxënësish e studentësh.
Dhjetra mijëra mësues, profesorë e punëtorë të tjerë të arsimit u përfshinë në këtë ndërmarrje të madhe duke punuar vullnetarisht. Një kompenzim simbolik erdhi shumë më vonë, atëherë kur në egzil u strukturua e nisi të funksionojë ajo që njihej si “Qeveria në Egzil e Republikës së Kosovës”. Fondi për arsimin shqip në Kosovë mbahej kryesisht nga diaspora e fuqishme shqiptare, e cila edhe ajo, si asnjëherë më parë, filloi organizimin e mobilizimin, mbi bazën e një solidariteti e bashkimi të pashoq. Mirëmbajtja e atij sistemi edukimi shihej baza kryesore e rezistencës paqësore në Kosovë, si mjet që do të trasonte rrugen drejt pavarësisë. Me gjithë kushtet jo të dinjitetshme, me gjithë improvizimet e kufizimet e shumta, sistemi paralel i edukimit në Kosovë ka funksionuar relativisht mirë. Dhe po, është një histori suksesi, por jo pa kosto, natyrisht. Qindra e mijëra punëtorë arsimi, nxënës e studentë kanë qenë cak i dhunës e burgosjeve nga ana e policisë serbe gjatë atyre viteve.
Kjo histori suksesi, pothuajse epike në natyrën e saj, duhet parë në dritën e asaj përpjekjeje të përgjithshme për shtetndërtim të viteve të ’90-ta, por ajo gjithashtu është edhe pjesë e një vetëdijeje tashmë të formuar shoqërore në Kosovë, që arsimimin e kishte ngritur në nivel kulti. Njerëzit e shkolluar shoqëria në Kosovë i shihte si profetë që kanë në dorë çelësin e së ardhmes, e asaj të ardhmeje në të cilën shoqëria do të ishte e lirë të fliste, shkruante e ëndërronte në gjuhën e vet. Dhe në një farë mënyre, kjo doli të jetë e vërtetë...
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit