Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Trembëdhjetë gjyqtarë kandidojnë për dy vende të lira në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese

Trembëdhjetë kandidatë ia kanë mësyrë garës për t’u bërë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën janë dy vende të lira.

Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, të hënën ka shqyrtuar emrat e 13 kandidatëve që kanë aplikuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kryesuesi i Komisionit, deputeti Adnan Rrustemi, tha se ky komision aprovoi të 13 kandidatët dhe se është caktuar data e testimit me shkrim, më 29 mars (10:30).

Kandidatë për gjyqtarë janë: Flamur Hyseni, Safet Berisha, Bardh Bokshi, Emrush Kastrati, Selman Ymeri, Rexhep Gashi, Blerim Burjani, Etrur Maloku, Flutra Hoxha, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu, Rafet Haxhaj dhe Valon Hasani.

Deputeti Rrustemi tha se procesi i përzgjedhjes së dy gjyqtarëve në Kushtetuese ka dështuar dy herë.

“Gjykata Kushtetuese ka kuorum, nuk ka pengesë për vendimmarrje, por si do që të jetë, Kuvendi i Kosovës është institucion që ka përgjegjësi për të kompletuar dhe për të funksionalizuar tërësisht, edhe këtë institucion si të tjerët. Dy herë ka dështuar procesi i përzgjedhjes, kjo është hera e tretë që po zhvillohen procedurat. Natyrisht si Komision i posaçëm jemi përpjekur maksimalisht për të qenë objektiv në vlerësim, por edhe në rekomandim për seancën. Zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kërkon 2/3 të deputetëve të pranishëm në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai. /ksp