Pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në Kosovë janë rritur për mbi 20 centë brenda 48 orëve. Megjithatë, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se çmimi i importit ka shënuar rritje minimale. Në përpjekje për të frenuar rritjen, Qeveria ka vendosur kufizim të marzhës së fitimit për kompanitë
Brenda 48 orësh çmimi i një litre nafte është rritur për më shumë se 20 centë, si pasojë e shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme. Por, çmimi i importit të kësaj lënde, sipas Doganës së Kosovës, ka pësuar rritje prej vetëm 1.5 cent për litër.
Në Doganë thonë se një litër naftë të hënën është importuar me çmim 54 centë, ndërsa të martën me 55.6 centë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE çmimet në kompanitë e derivateve të hënën silleshin mes 1.18 euro deri në 1.25 euro, kurse të mërkurën një litër naftë u tregtua me çmim nga 1.35 euro deri në 1.40 euro.
Çmimi i benzinës të hënën sillej mes 1.17 euro e 1.24 euro, ndërsa të mërkurën shkoi deri në 1.35 euro.
Shkaku i rritjes së çmimit në pika karburanti në shpërputhje të madhe me rritjen e regjistruar nga Dogana, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar të mërkurën vendimin për caktimin e çmimeve tavan.
Në vendim është caktuar që marzha e fitimit për shitje me shumicë të jetë deri në 2 centë për litër, ndërsa për shitje me pakicë deri në 12 centë për litër.
“Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes. Inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi”, tha Kusari-Lila.
Vendimi do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
E shtrenjtimi i naftës ka afektuar menjëherë çmimet e produkteve të tjera dhe shërbimet e ndryshme.
Disa qytetarë janë ankuar se taksitë ilegale që operojnë në linjën Fushë-Kosovë-Prishtinë kanë filluar t’i rrisin çmimet nga 70 centë në 1 euro.
Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Iranit ndaj vendeve të tjera në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj bombardimeve të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Një ditë më parë, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rreziqeve të mundshme për rritje të çmimeve apo çrregullime në zinxhirin e furnizimit, përfaqësuesit e bizneseve kërkuan nga Qeveria dhe Kuvendi të jenë të përgatitura me një paketë të qartë mbështetëse për bizneset dhe konsumatorët.