Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë publike detaje të marrëveshjes për ndërtimin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit.
Totaj ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se ndonëse nuk dihet ende çmimi i tërësishëm i projektit, ai mund të kushtojë rreth 5 milionë euro.
“Vlerën është vështirë ta parashikojmë pasi jemi dëshmitarë të një situate ku po lëvizin shumë çmimet. Mirëpo një vlerësim i përafërt është bërë që diku rreth 5 milionë euro do të kushtojë”, ka thënë Totaj.
Ai ka shtuar se teleferiku do të ketë lartësinë rreth 170 ose 180 metra dhe do të ketë dy kabina, derisa ka shtuar se kapaciteti i tyre nuk dihet ende saktë.
Sipas tij, projekti pritet të fillojë së implementuari nga fundi i këtij viti, ndërkaq përfundimi pritet në gjysmën e dytë të vitit 2024. Totaj ka thënë se teleferiku do ta ketë bazën pas "Marashit".
“Do të jetë një teleferik në shina, lartësia është 170 ose 180 metra, do t’i ketë dy kabina, një që lëviz lart dhe një që lëviz poshtë. Kapaciteti nuk dihet. Lart në Kala mund të ketë një restorant dhe ne presim që ky projekt të fillojë implementimin nga fundi i këtij viti, ndërkaq përfundimin detal e presim diku në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm”, është shprehur ai.
Totaj ka thënë se presin që projekti ta lehtësojë qasjen në Kala dhe kjo të ndikojë në rritjen e turizmit në qytetin e Prizrenit.
Kryetari i Prizrenit ka folur edhe për investimet e reja duke kritikuar Qeverinë se ato kanë shkuar në komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.