Arbëri

Topalli: Shqipëria nuk ka pasur asnjë rol në organizimin e demonstratave e ’81-shit

Faton Topalli

Në një intervistë të zhvilluar në podcastin PIKË, veprimtari dhe ish-deputeti Faton Topalli ka hedhur poshtë pretendimet se Shqipëria ka qenë e përfshirë në organizimin apo nxitjen e demonstratave të marsit 1981 në Kosovë, duke i cilësuar këto si akuza të fabrikuara nga Beogradi për konsum të brendshëm dhe ndërkombëtar.

“Akuzën që Shqipëria ka gisht në ngjarjet në Kosovë, e ka bërë Beogradi. Nuk ka asnjë fakt që Shqipëria ka qenë e implikuar në ngjarjet e vitit 1981”, theksoi Topalli.

Ai shtoi se udhëheqja komuniste shqiptare e asaj kohe, përfshirë edhe vetë Enver Hoxhën, nuk ka qenë fare e informuar për demonstratat, të cilat shpërthyen si reagim spontan i studentëve për kushte më të mira sociale, e më pas u zhvilluan në kërkesa politike.

“Po të donte Shqipëria ta mbështeste kërkesën për Republikë, do ta kishte bërë këtë shumë më herët – qoftë pas vitit 1945, qoftë pas vitit 1968. Por nuk ka pasur as orientim politik, as ideologjik për një shtet shqiptar brenda Jugosllavisë”, ka thënë ai.

Topalli po ashtu pranoi se disa grupe ilegale në Kosovë ishin të orientuara drejt bashkimit me Shqipërinë, por shtoi se edhe ato nuk kishin kërkesa për Republikë, dhe se Shqipëria i kishte mbështetur vetëm moralisht, e jo në mënyrë organizative.

“Edhe ne kemi qenë për bashkimin me Shqipërinë, por e kemi parë si të parealizueshme në atë kohë. Prandaj kërkesa për Republikë shihej si më afër realitetit”, deklaroi Topalli.
 

Lexo përditësimet tjera
Faton Topalli

Faton Topalli në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 23-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është Faton Topalli,...