Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka falënderuar kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, dhe atë të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për propozimet e tyre për anëtarë të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.
Ai ka njoftuar se përfaqësues i tij, njëherësh kryesues i këtij bordi do të jetë ministri Elbert Krasniqi.
“Ai e njeh shumë e mirë lëndën me të cilën do të merret dhe jam i bindur që me përvojën dhe vullnetin që ka do ta shtojë bashkëpunimin ndërmjet dy komunave e në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim. Bordi ka përfaqësim me barazi gjinore (pesë gra e gjashtë burra) dhe është multietnik (shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe egjiptianë). Anëtarëve ua uroj detyrën e re dhe u dëshiroj suksese e punë të mbarë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Krasniqi ka njoftuar gjatë ditës se në objektin e MAPL-së në Mitrovicën e Veriut, është mbajtur takimi i parë i Bordit të Përbashkët, i kryesuar nga ai si përfaqësues i Kurtit.
Ky bord synon përmirësimin në fusha si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik e shërbimet komunale.
Sipas tij, ky bashkëpunim parashihet me ligjin për kufijtë administrativë të komunave, i cili parashikon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet dy komunave përmes krijimit të një Bordi të Përbashkët funksional.
“Themelimi i Bordit të Përbashkët ndërmjet Komunës së Mitrovicës së veriut dhe asaj të jugut vendos një model të ri bashkëpunimi institucional, që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Përmes bashkërendimit në fusha kyçe si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta, ndërton besim dhe rritur efikasitetin duke dëshmuar se ndarjet e së kaluarës mund të tejkalohen. Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën mbikëqyrjen e përfaqësuesit të Kryeministrit, ky bashkëpunim është shembull i qeverisjes së mençur dhe përkushtimit ndaj interesit të qytetarëve, pa asnjë dallim”, ka shkruar Krasniqi.