Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Mirvet Thaqi, ka deklaruar se në të gjeturat e raportit për vitin 2021 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka rezultuar se ky institucion ka dështuar të bëjë finalizimin e procesit të vlerësimit të performancës për 44 gjyqtarë në vend.
Ky numër, sipas Thaqit, rezulton me 1/3 e gjyqtarëve me mandat të përhershëm.
“Ky proces është mjaft i rëndësishëm që u mundëson gjyqtarëve të rriten në pozitë, është proces jetik dhe arsyetimi i KGJK-së ka qenë se, mandatin Komisioni për vlerësimin e performancës e ka marrë gjatë muajit prill”, ka thënë ai të enjten në emisionin Interaktiv të KTV-së.
Në këtë raport të titulluar “Administrimi i sistemit të drejtësisë nga këshillat”, thuhet se KGJK-ja ka shënuar progres më të lartë në krahasim me vitin paraprak, por sipas tij, është hasur edhe në praktika negative nga ky institucion.
“Një praktikë negative është ndryshimi i shpeshtë i rregulloreve. KGJK-ja ka miratuar një rregullore, e cila është për vlerësim të performancës, që dy muaj më pas e ka dërguar për ndryshim, një veprim i tillë e cenon sigurinë juridike të akterëve dhe proceseve që vetë këshilli i udhëheqë”, ka thënë ai.
Gjetje tjetër e këtij raporti sipas Thaqit, është edhe nxjerrja e 16 vendimeve disiplinore, ku masa më e rëndë që ky Këshill ka shqiptuar ndaj një gjykatësi është degradimi.
“Kur flasim për transparencën, KGJK-ja ka garantuar një transparencë të lartë me rastin e publikimit të vendimeve që i ka marrë gjatë takimeve të saj. KGJK-ja ka arritur të publikojë rreth 97 për qind të vendimeve të saj, por mungesë transparence ka pasur kur këshilli ka mbajtur takime elektronike, ku gjatë pesë takimeve të mbajtura online nuk ka bërë publik rendin e ditës dhe është arsyetuar me pandeminë”, ka thënë më tej Thaqi.
Edhe
IKD: Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial me trajektore të ndryshme për sistem transparent
Një tjetër problem, Thaqi thotë se paraqitet mosthemelimi i degëve të Gjykatave në disa komuna.
“Qytetarët e Obliqit, Fushë-Kosovës, Junikut, Shtimit, Hanit të Elezit, akoma hasin në vështirësi sa i përket realizimit efikas të qasjes së tyre në drejtësi, kjo pasi Këshilli edhe gjatë vitit 2021 ka dështuar që ta përmbushë obligimin ligjor që rrjedhë sipas ligjit për Gjykatat që të funksionalizojë këto degë të Gjykatave”, ka thënë ai.
Një ndër rekomandimet e dhëna, sipas tij është që Ministria e Financave t’i përfshijë projektet kapitale për themelimin e këtyre degëve në planifikimet buxhetore të saj e më pas Kuvendi t’i përfshijë në mënyrë që t’i ndajë të gjitha mjetet e nevojshme për Këshillin.