Arbëri

Thaçi: Malazezët do të njihen me Kushtetutë, një ulëse për ta në Kuvend

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit malazez në Kosovë, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.

Thaçi theksoi se Kosova është shtëpi e pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në të.

“Komuniteti malazez në Kosovë do të njihet edhe me Kushtetutë dhe do të ketë një ulëse në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë, Sllobodan Vujiçiq, e njoftoi Thaçin për Strategjinë për Afirmimin dhe Integrimin e komunitetit malazez në Kosovë.

“Kjo strategji është e gatshme dhe tani do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës për miratim, që të fillojë të zbatohet plani i veprimit i strategjisë”, ka thënë Vujiçiq.

Kreu i shtetit e ka mirëpritur përfundimin e punës për strategjinë dhe ka shprehur mbështetjen për jetësimin e saj.

Me Malin e Zi dhe me komunitetin malazez në Kosovë, Thaçi theksoi se kemi marrëdhëniet më të mira të mundshme.