Mali i Zi të shtunën e ka shënuar Ditën e Pavarësisë. Këtu e 16 vjet më parë më 21 maj 2006, përmes referendumit, Mali i Zi arriti të bëhej shtet i pavarur. Por, malaziasit që jetojnë në Kosovë ankohen për mosadresim të kërkesave të tyre, e që lidhen me njohjen si pakicë në Kushtetutë e me përfaqësues në institucione të Kosovës. Premtime për një gjë të tillë, thonë se kanë marrë edhe nga kryeministri Kurti, por ende s’kanë marrë përgjigje. Në Kosovë llogaritet se jetojnë 5 mijë deri në 7 mijë malazezë
Vite me radhë, kërkesa e malaziasve për t’u njohur si pakicë në Kushtetutën e Kosovës, nuk është marrë parasysh. Përveç shprehjes së vullnetit të përfaqësuesve të institucioneve, për më shumë se një dekadë, ata nuk kanë ndërmarrë veprime për të realizuar kërkesën e këtij komuniteti që në Kosovë, nuk llogaritet të jetë më i madh se 5 mijë deri në 7 mijë banorë.
Për më shumë se një vit, komuniteti malazias për kërkesat që ka adresuar s’ka ka marrë përgjigje as nga kryeministri Albin Kurti. Përfaqësues të këtij komuniteti kanë thënë se ndër vite u janë dhënë jo pak premtime.
Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, “Lovqen”, Lazar Raduloviq, ka thënë se kanë kërkuar që të kenë një përfaqësues në institucione e të njihen në Kushtetutë si pakicë.
“Mund t’ju them se edhe para formimit të kësaj Qeverie, por edhe pas formimit të qeverisë Kurti, kemi pasur raporte shumë të mira, kemi pasur premtime shumë të mëdha nga z. Kurti. Ne kemi qenë të gatshëm ë bashkëpunojmë, kemi pasur shumë premtime, kemi qenë optimistë në këtë drejtim. Me z. Kurti kemi pasur bisedime shumë të mira, se çfarë ka ndodhur në kohët e fundit realisht nuk mund t’ju them. Jam pa përgjigje se përse ka një vit që nuk po ndodh, nuk po lëviz asgjë në drejtim të përmirësimit të statusit të pakicës malaziase”, ka thënë Raduloviq.
Sipas tij, mosnjohja e komunitetit është një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen malazezët në Kosovë. Ai ka thënë se sipas llogaritjeve të tyre, “në Kosovë jetojnë prej 5 mijë deri në 7 mijë malazezë”.
“Për vetë faktin që nuk jemi të pranuar në Kushtetutën e Kosovës, kjo do të thotë automatikisht që nuk e kemi përfaqësuesin tonë as në Kuvendin Kosovës, por as në institucionet e tjera, në Qeverinë e Kosovës dhe ky është një problem shumë i madh për komunitetin malazias në Kosovë”, ka thënë ai.
Gjatë javës, në Kosovë për vizitë disaditore ka qëndruar presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Vizita e tij e përcjellja e kërkesës së malaziasve te krerët e institucioneve gjatë takimeve që Gjukanoviqi ka pasur, ka ngjallur shpresë se ato do të merren parasysh së shpejti.
“Vetë vizita e presidentit Gjukanoviq ishte shumë domethënëse në këtë aspekt se edhe vetë presidenti i theksoi këto kërkesa dhe theksoi nevojën e komunitetit malazias për të qenë pjesë e institucioneve”, ka thënë ai. “Duhet të gjendet një model në bazë të cilit malaziasit do të jenë pjesë e institucioneve, por shpresojmë që kjo vizitë e presidentit të shërbejë si shenjë e mirë për mbarësi dhe për realizim në këtë drejtim”.
Përfaqësuesi i komunitetit malazias në Kosovë, ka thënë se diskutime për të pasur një përfaqësues në ekzekutiv, kanë pasur me secilin prej udhëheqësve që ka ardhur në pushtet. Përfaqësimi në institucione, sipas tij, do t’u ndihmonte që të realizohej kërkesa e tyre për t’u njohur si kategori kushtetuese.
“Do të ishte shumë më e lehtë nëse do të ekzistonte një përfaqësues malazez i cili do t’i adresonte këto kërkesa edhe do të shkonin direkt aty ku duhet”, ka thënë ai.
Me gjithë mosrealizimin e kërkesave të tyre, Raduloviqi ka thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.
“Derisa ne e presim pranimin në Kushtetutën e Kosovës jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës, jemi të gatshëm të jemi pjesë e institucioneve, sepse mendojmë se komuniteti malazias e meriton këtë dhe sigurisht presim nga institucionet dhe personat përkatës që ta mundësojnë këtë. Në momentin që do të kemi përfaqësuesit tanë në institucionet e Kosovës, atëherë çdo gjë do të ndryshojë për 360 shkallë”, ka thënë ai.
Lidhur me pretendimet e malaziasve për mosrealizimin e premtimeve të bëra, KOHA ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Kryeministrit, por të shtunën nuk e ka marrë atë.
Njohja e statusit të pakicës për komunitetin malazias është premtuar ndër vite nga liderët e institucioneve, njashtu sikurse edhe për komunitetin kroat.
Aktualisht, pakicat e njohura me Kushtetutë në Kosovë janë komunitetet: serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian dhe ai goran. Pakicat kanë të rezervuara 20 vende, nga 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës. Prej tyre 10 për komunitetin serb e 10 për komunitetet e tjera.
Sipas regjistrimit të fundit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë më 2011, te pika “Popullsia rezidente sipas përkatësisë etnike/kulturore, gjinisë dhe moshës” nuk figuron ajo malazeze, përderisa te kategoria “Të tjerë” janë dy mijë 352 banorë rezidentë e 912 nuk janë deklaruar.
Të enjten e kësaj jave, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në aktivitetin kulturor të organizuar me rastin e shënimit të Ditëve të komunitetit malazez në Kosovë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka përmendur se sipas regjistrimit të fundit valid në Kosovë, më 1981, ka pasur diç më shumë se 28 mijë malazezë “dhe malazezët me arsye ishin element konstituiv nacional i Kushtetutës së Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë së vitit 1974”.