Presidenti Hashim Thaçi në konferencën që mbajti sot ka folur edhe për arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Presidenti tha se Gjuriqi ka hyrë një ditë para arrestimit në Kosovë dhe ka fjetur në shtëpinë e Milan Radojçiqit në veri. Për këtë madje sipas tij kanë ditur edhe persona tjerë dhe ndaj tyre do të merren masa.
“Në hulumtimin dhe shqyrtimin e rastit, doli diçka tjetër. Doli se Gjuriqi ka hyrë të dielën mbrëma në Kosovë. Gjuriqi e ka kaluar natën në banesën e Milan Radojçiqit. Disa individë të mekanizmave institucionalë të Kosovës kanë qenë në dijeni të plotë të prezencës së tij në Kosovë, ky është shqetësimi im, jo veprimi i Policisë. Kështu do të shikohen të gjitha hallkat e mekanizmave të sigurisë”, tha presidenti Thaçi.
Informatën për hyrjen e Gjuriqit në Kosovë Thaci se e ka marrë nga një këshilltar i tij në kohën sa ishte në një takim me anëtarët e shteteve të Quintit.
“Menjëherë kam urdhëruar që të merren masa ligjore për këtë”, ka thënë Thaçi.
Ai u shpreh se në lidhje me këtë rast është i gatshëm të marrë përgjegjësinë që i takon.
“Ka pasur opinione të ndryshme sa i përket ardhjes së Gjuriqit, kush e ka ditë, kush s’e ka ditë. Se Gjuriq është në Kosovë jam informuar gjatë takimit me anëtarët e Quintit, rreth orës 16:45, nga njëri prej këshilltareve të mi, dhe më ka sjellë një letër me pyetje Gjuriq është futur në Kosovë, unë i kam kthyer menjëherë përgjigje, le të merren masat e duhura kushtetuese dhe ligjore. Çka do që ka ndodh unë mbaj përgjegjësinë time, n’daç në Kuvend, n’daç para ndërkombëtarëve, n’daç para qytetarëve. Jam i gatshëm që të marrë përgjegjësitë që më takojnë”, tha ai.
Edhe
NATO lavdëron Policinë e Kosovës në rastin e arrestimit të Gjuriqit
Thaçi u shpreh po të mos vepronte policia, të gjithë do t’i kritikonin për këtë, dhe atë me të drejtë. Ai tha se të gjithë ata që marrin përgjegjësi duhet edhe t’i marrin ato. Prandaj sipas Thaçit tash e tutje nuk do të ketë më kështu.
“Realisht është krijuar një rrethanë që njerëzit mendojnë që duke u deklaruar ‘nuk di’, ‘se di’, ‘nuk di’, ‘unë nuk kam ni’, me ju ikë përgjegjësive. Tash e tutje nuk do të vazhdojë kështu, ata që marrin përgjegjësinë, ata duhet edhe me i kry përgjegjësitë e veta. Unë kam qenë në dialog të premten e kaluar në momentin kur kemi dëgjuar që është ndaluar hyrja e Gjuriqit në Kosovë. Natyrisht se janë disa rregulla të pashkruara që kur je duke biseduar me dikë nuk i ndodh e keqja kurrë, jo pse kam ndonjë shqetësim për Gjuriqin, por janë disa rregulla të pashkruara diplomatike, të dialogut, të negocimit, dhe ajo informatë erdhi papritur”, tha Thaçi ndër tjerash.
Ai tha se ky vendim i institucioneve nuk ishte i menduar politikisht, por ishte tekniko-operativ.