Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, sonte kanë shtruar iftar për krerët dhe drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, njofton kumtesa nga presidenca.
Thaçi ka thënë se muaji i Ramazanit është muaj sprove për besimtarët e devotshëm dhe agjërimi e rritë solidaritetin dhe kujdesin për njëri-tjetrin.
“Muaji i Ramazanit për çdo vjet është muaj sprove për besimtarët e devotshëm, të cilët me vullnet heqin dorë nga uji dhe ushqimi, duke iu përkushtuar edhe më shumë besimit në Zot. Agjërimi është moment i rritjes së solidaritetit brenda familjes së besimtarëve. Rritje e vëmendjes për njerëzit me gjendje jo të mirë materiale”, ka thënë Thaçi.
Ai tha se besimet fetare për ne janë pasuri. Respektimi i traditave dhe riteve fetare të njëri–tjetrit e bënë më të pasur jetën tonë.
“Një meritë të veçantë për këtë klimë pozitive keni ju të nderuar krerë dhe drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kosova ka qenë dhe do të jetë vend i besimeve religjioze që përjashton frymën e çdo lloj ekstremizmi. Nga ana e idealeve dhe synimeve për liri dhe pavarësi. Prandaj sonte, ju uroj këtë iftar të shijshëm me besimin që ditët e mbetura të Ramazanit t’i kaloni këndshëm në mesin e familjeve tuaja dhe të miqve tuaj”, tha tutje.
Edhe
Haradinaj: Sa më bashkë, aq më mirë për ne
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Muaji i Shenjtë i Ramazanit, agjërimi, lutjet dhe devotshmëria ndaj Krijuesit të na shërbejnë në thellimin dhe forcimin e përkrahjes dhe zemërgjerësisë ndërmjet të gjithë neve.
“Durimi dhe fuqia shpirtërore, që e karakterizojnë agjërimin, të na motivojnë për të qenë të bashkuar në rrugën tonë, si shoqëri tolerante dhe shtet i fortë, të gatshëm dhe të aftë që të kalojmë sfidat që na dalin përpara. Të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë, ju dëshiroj agjërim të lehtë edhe përgjatë ditëve të mbetura të këtij muaji të shenjtë të Ramazanit”, ka thënë Haradinaj.