Përfaqësues institucionalë, partiakë dhe fetarë vizituan selinë e Bashkësisë Islame në Prishtinë, në ditën e Fitër Bajramit. Ata e vlerësuan rolin e BIK-ut në çështjen kombëtare, ndërsa festën e kualifikuan si moment të rikujtimit për sakrificën, përkushtimin dhe solidaritetin
Imzot Dodë Gjergji ka qenë i pari vizitor i Bashkësisë Islame të Kosovës, në ditën e festimit të Fitër Bajramit. Udhëheqësi i Ipeshkvisë së Kosovës ka vazhduar traditën që të urojë besimtarët myslimanë dhe nga takimi myftiut Naim Tërnava t’ia përcjellë mesazhin e rëndësisë së bashkëjetesës në paqe dhe dashuri.
“Këtë muaj kemi agjëruar të gjithë, sepse kemi pasur edhe festën e Pashkëve, edhe festën e Bajramit. Kështu që besoj se gjithë populli është me uratë, me lutje dhe me agjërim dhe të kemi mundësi të jetojmë në paqe, dashuri, mirëkuptim, në pajtim, në falje dhe në unitet, siç ka thënë myftiu Tërnava në fjalën e tij të Bajramit”, ka thënë imzot Dodë Gjergji.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, priti edhe të tjerë mysafirë me rastin e Fitër Bajramit. Mes tyre pati përfaqësues institucionalë, të partive politike dhe ata fetarë.
Kryeministri Albin Kurti nga takimi shprehu mirënjohjen për rolin e Bashkësisë Islame në çështjen kombëtare të Kosovës.
“E dimë se nga lufta e fundit çlirimtare, 37 hoxhallarë, imamë, i kemi dëshmorë të kombit. Sot dhe në këtë stinën e pranverës, ku për çdo ditë kujtojmë masakra dhe beteja, na duhet të ecim midis varreve, ku ka emra të martirëve e dëshmorëve, në mesin e të cilëve aq shumë janë edhe imamë e aq shumë janë edhe besimtarë. Kjo tregon për rolin e madh që ka pasur Bashkësia Islame për çështjen tonë kombëtare dhe ne jemi përherë falënderues e mirënjohës”, ka theksuar Kurti.
Në Bashkësinë Islame të premten mbërriti edhe një delegacion i PDK-së, i prirë nga Bajrush Xhemajli, i cili po ashtu uroi Tërnavën dhe gjithë besimtarët myslimanë për festën.
Që festa të shërbejë si rikujtim për sakrificën, përkushtimin dhe solidaritetin uroi kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
“Sot myftiut Tërnava, bashkëpunëtorëve të tij, dhe nëpërmjet tyre të gjithë komunitetit mysliman në Kosovë, i uruam festën e Fitër Bajramit, një festë që vjen pas një muaji të shenjtë të agjërimit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj vetë Krijuesit, me shpresë që lutjet e tyre, agjërimi dhe çdo përpjekje në rrugë të Zotit të jetë e pranuar nga vetë Zoti. Në këtë festë të rëndësishme dhe me traditë në vendin tonë shpresojmë t'i rikujtojmë e t’i kultivojmë këto vlera njerëzore, fillimisht ndaj solidaritetit, përkushtimit dhe qëndrimit ndaj njëri-tjetrit. Vendi ynë ka nevojë për këto vlera”, është shprehur kryetari i LDK-së.
Ndërkaq shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri thirrje që festa të jetë moment bashkimi e reflektimi.
“Ky muaj është muaj që simbolizon solidaritetin dhe përkushtimin për të gjithë ata njerëz që kanë agjëruar gjatë këtij muaji, por njëkohësisht edhe të gjithë ata që kanë ndihmuar qytetarët e Kosovës, popullin shqiptar, në këtë muaj të solidaritetit. Për ne është shumë me rëndësi që këto festa janë aso që na bashkojnë, por njëkohësisht na vendosin në momente për të reflektuar”, ka thënë Tahiri.
Urime besimtarëve myslimanë u ka dërguar edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Uroj që Fitër Bajrami të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.
Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza. Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja! Me fat Fitër Bajramin!”, ka shkruar Osmani në mesazhin e urimit.
Vizita në selinë e Bashkësisë Islame të premten bënë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, të subjekteve joparlamentare, si dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë.