Arbëri

Testet e marra nga Serbia nuk janë përdorur

Kryetari i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, ka raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e COVID-19.

Ramadani ka thënë se 1.000 testet e pranuara si ndihmë nga Serbia muaj më parë, janë ende të papërdorura.

Ramadani ka thënë se ky Institut ka bërë kërkesën për furnizim me reagensë për testime për COVID-19, qysh pas fillimit të rasteve të para në botë në janar, raporton KOHA.

"Komiteti për Sëmundjet Ngjitëse është formuar në javën e tretë të janarit. Është komunitet i përgjithshëm që ka të bëjë me sëmundje ngjitëse e ku hyn edhe pandemia COVID-19. Së pari është bërë plani për gatishmëri dhe reagim për COVID-19 dhe i është dërguar ministrit. Ka qenë që të themelohet komiteti drejtues ku hyjnë ministri, sekretari i përhershëm dhe të aktivizohet plani i reagimit kombëtar. Më 7 janar kemi bërë kërkesën për furnizim me reagensë, menjëherë pas konfirmimit me rastet e para me COVID-19. Ekipi mjekësor ka ekzistuar në aeroport, por më pas ne kemi dërguar edhe ekipe plotësuese", ka thënë ai.


Ramadani: Asnjë qytetar që ka pasur indikacione epidemiologjike nuk ka mbetur pa u testuar

Kryetari i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani, ka thënë se asnjë qytetar që ka pasur indikacione epidemiologjike të COVID-19 nuk ka mbetur pa u testuar, pavarësisht resurseve humane të kufizuara.

Sipas tij, qytetarët kanë shkaktuar huti duke thënë që nuk po bëhen testime.

"Ekzistojnë udhëzues të organizatave (OBSH e ECDC) që flasin për testime. Testimet që kanë filluar me maksimën test, test, test kanë shkaktuar huti dhe popullata ka thënë që nuk po testoni. Neve na kanë shkaktuar luhatje në besimin qytetar për shkak të disave që kanë dashur me keqinterpretu", ka thënë ai, raporton KOHA.

Gjatë kohës së pandemisë shumë qytetarë janë ankuar se nuk po u bëhen testet. Në fakt, edhe mjekët e qendrave të mjekësisë familjare nëpër vend janë udhëzuar që diagnostikojnë pacientët me COVID-19 pa i testuar dhe se ata pozitivë t’i këshillojnë për vetizolim.