Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qytetarët kërkojnë më tepër qendra të testimeve për COVID-19

Rritja e rasteve me COVID-19 ka bërë që një numër më i madh i qytetarëve të Kosovës t’u drejtohet qendrave të testimit për ta bërë testin RT-PCR. Megjithatë, ata po kërkojnë të ketë më shumë qendra për testime.

Ekipi i KosovaPress-it në mëngjesin e së dielës ishte te qendra “1 Tetori” ku tashmë po testohen qytetarët, mirëpo dyert e saj ishin të mbyllura. Kurse, pranë tendës së Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHOPK), ishin dhjetëra qytetarë që prisnin për t’u testuar, mirëpo pritjet nuk zgjasnin më shumë se 5 minuta.

Qytetari Vedat Magjistina tregon se e ka sjellë djalin për t’u testuar kundër COVID-19, pasi që kishte temperaturë. Ai shton se tek IKSHPK-ja po ka shumë rend dhe gjithçka po shkon mirë.

“Jo unë djalin e solla se për vete jo. Ai ka pasur temperaturë dhe dyshuam mos ka diçka. Duhet me pas sepse i kam parë në televizion që ka pas rend, e sot nuk paska, se me pas rend në këtë kohë të ftohtë është pak problem. Tash nuk pati rend, në rregull. Mirë shumë shpejtë po shkojnë, vetëm të dhënat kërkohen, numri i letërnjoftimit nëse e ke, ose për të vegjël numrin e telefonit të prindërve”, ka thënë ai për KosovaPress.

Edhe Hysni Zeka potencon se duhet të ketë më shumë vende për testime ndaj COVID-19.

“Jo 5 minuta, është më mirë me pas vende më shumë, me u testu popullata sa më shumë është më mirë, por edhe të vaksinohen. Procedura po shkon shumë në rregull”, thotë ai.

Edhe Interesim i madh i qytetarëve për testim Arbëri Interesim i madh i qytetarëve për testim

Drenusha Bajrami thotë është testuar ndaj COVID-19 për shkak se vajza e saj kishte dalë pozitive me koronavirus. Ndërkohë, ajo shton se duhet të ketë më shumë vende që qytetarët të testohen.

“Nuk na ka ra për momentin edhe shumë me prit, ia kam bërë vajzës se më dal me COVID, mandej të nesërmen më kanë lajmërua se është me COVID, dhe doja me ardh të testohem edhe unë. Duhet me pas shumë sepse po shihet që kanë shumë tollovi edhe po shihet dhe gjynah edhe nga stafi, kanë shumë punë dhe kur janë 20 mijë mostra në ditë, ajo kuptohet se janë tepër shumë”, thotë Bajrami. /KSP