Arbëri

Të përfshirët në gjuajtjet me armë në Prishtinë me të kaluar të bujshme kriminale

Tri rastet e gjuajtjes me armë në Lagjen e Muhaxherëve janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, i thanë KOHËS burime në Polici. Nga gjuajtjet e një dite më parë mbeti i plagosur një person. E, për një vit, në Kosovë ndodhën 29 vrasje e 134 tentim-vrasje, ndërkaq u konfiskuan 1392 armë

Brenda një dite, në tri raste që sipas burimeve të KOHËS janë të lidhura njëra me tjetrën ka pasur të shtëna armësh në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë. Një person u plagos nga gjuajtjet në rrugën “Bedri Shala”, e të shtëna pati edhe në rrugën “Shaip Spahiu”.

Burime të KOHËS në Polici thanë se të dyshuarit e përfshirë në këto raste që ndodhën të hënën kanë të kaluar të bujshme kriminale. Por ende nuk është arrestuar asnjëri.

E Prokuroria Themelore në Prishtinë u kërkoi qytetarëve bashkëpunim për këto raste.

“Sigurojmë opinionin publik se në koordinim me hetuesit policorë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Po ashtu, ftojmë qytetarët të cilët kanë informata relevante rreth rastit të bashkëpunojnë me autoritetet ligjzbatuese, duke iu drejtuar Prokurorisë dhe Policisë për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë.

Policia ka bërë të ditur që në rrugën “Shaip Spahiu”, në mbrëmjen e së hënës, tre persona që gjendeshin në një veturë pa targa kanë shtënë ndaj një personi tjetër, i cili gjendej në makinë, në këtë rast nuk ka të lënduar. E në orar të njëjtë, por në rrugën “Bedri Shala”, është shtënë në drejtim të një objekti banesor.

Juristi Anton Nrecaj thotë se me këto incidente po rrezikohet edhe siguria publike.

“Kjo është një brengë që nga institucionet e rendit dhe sigurisë duhet të merret me seriozitet, për shkak se po cenohen rendi publik dhe siguria e qytetarëve”, ka thënë avokati Nrecaj. “Jemi në situatën e tillë ku grupe të ndryshme përdorin armë zjarri në mes të ditës për qërim hesapesh mes vete”.

Nrecaj ka thënë që edhe dënimet për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, që shqiptohen nga gjykatat zakonisht nuk i afrohen maksimumit të dënimit që parasheh Kodi Penal. Ai ka sugjeruar dënime më të ashpra.

“Veprat penale për ‘armëmbajtje pa leje’ janë goxha të ashpra. Duke filluar nga dënimet me burgim nga 1 deri në 8 vjet heqje lirie, e gjobat të cilat shkojnë deri në 7500 euro. Por në praktikë nuk kemi parë situata të tilla që për vepra të tilla penale i është shqiptuar dënimi maksimal”, ka thënë avokati Nrecaj. “Nga ajo çka kemi parë, dënimi maksimal për armëmbajtje pa leje është shqiptuar deri në tre vjet”.

Sipas të dhënave të ofruara nga Policia, gjatë vitit të shkuar janë evidentuar 29 vrasje e 134 tentim-vrasje, shumica e të cilave janë kryer përmes armëve të zjarrit. Gjatë këtij viti janë konfiskuar 1392 armë.