Kronikë

Shtatë raste të armëmbajtjes pa leje në 24 orë, tre të dyshuar në mbajtje

Policia e Kosovës - Armëmbajtje pa leje

Të paktën shtatë raste të armëmbajtjes pa leje janë regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë të hënën. 

Në tri prej këtyre rasteve të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. 

Dy prej rasteve kanë ndodhur në Mramor të Prishtinës. Në njërin rast i dyshuari është arrestuar për shkak se ka shtënë me pistoletë me gaz, e cila bashkë me dy gëzhoja janë sekuestruar. Për rastin tjetër të raportuar në këtë fshat thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tre fishekë, një DVR nga kamerat e sigurisë si dhe 110 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Rasti nën hetime.

Dy raste të tjera janë raportuar në Podujevë. Një person është dërguar në mbajtje nën dyshimin se ka shtënë me pistoletë me gaz në një aheng. Pistoleta dhe 66 fishekë e tri gëzhoja i janë sekuestruar. Rasti tjetër brenda kësaj komune është raportuar në fshatin Repë, ku një personi i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz dhe 11 fishekë.

Një tjetër rast është raportuar në Prizren, ku i dyshuari e ka sulmuar me sëpatë vëllain e tij.

“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spitalin rajonal në Prizren, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit kanë gjetur dhe sekuestruar një sëpatë dhe disa armë të ftohta-thika, një shufër metalike dhe një boks metali”, thuhet në njoftimin policor. 

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Blaç të Dragashit është arrestuar i dyshuari për të shtëna me pushkë gjuetie disa herë, për çka është dërguar në mbajtje. 

Pa leje adekuate armë ka përdorur edhe një person i dyshuar në Bardh të Madh të Fushë-Kosovës. 

Si provë materiale është konfiskuar pistoleta  e përdorur në rast dhe pesë gëzhoja. Me vendim të prokurorit rasti është iniciuar si më lartë, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.