Arbëri

“Taktika” e Prokurorisë, pa arsyetim mbetet tërheqja e fletarrestimit ndaj Radojçiqit

“Shkaqet teknike dhe taktike” të Prokurorisë Speciale, që çuan në tërheqjen e fletarrestimit kundër Milan Radojçiqit, kanë mbetur të pazbardhura.

Për dy ditë, siç i kanë thënë burimet KOHËS, Radojçiqi, që po hetohet si pjesë e grupit që bashkëpunoi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka hyrë e ka dalë nga Kosova. Ai nuk është ndaluar nga Policia e Kosovës ani pse nga Prokuroria Speciale ishte thënë se ai po hetohej për përfshirje në këtë vrasje.

Fletarrestimi ishte lëshuar në janarin e vitit 2019, ndërsa u revokua në shkurtin e këtij viti, pak pas më shumë së dy vjetëve. Në Kosovë afati i hetimeve është 24 muaj, që i bie se në rast se Prokuroria Speciale nuk ka kërkuar afat shtesë prej 6 muajsh, ajo do të duhej t’i pushonte hetimet ndaj Radojçiqit ose t’i pezullonte.

Për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, arsyetimi i Prokurorisë Speciale për tërheqjen e këtij fletarrestimi është i paargumentuar, por edhe mund të përdoret nga avokatët që hetimet potenciale t’i cilësojnë jo të ligjshme.

“Në jurisprudencën e drejtësisë penale qindravjeçare, në asnjë shtet të botës nuk e sheh diku që prokurori i thotë gjyqtarit po dua ta tërheq një fletarrestim për çështje taktike. Kodi i Procedurës Penale nuk njeh mundësi të tilla që urdhër-arrestimi të tërhiqet për çështje taktike. Drejtësia penale nuk është lojë futbolli që të bëhen taktizime”, ka thënë Miftaraj.

Ivanoviqi, udhëheqës i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, u vra me armë zjarri para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë, në janarin e vitit 2018.

Gjatë aksionit të policisë në veri të Mitrovicës, më 23 nëntor të vitit 2018 , ishin arrestuar tre persona lidhur me këtë vrasje. Por, në këtë aksion nuk ishte arritur të arrestohej Milan Radojçiqi.

Radojçiqi është cilësuar shpesh si person që kontrollon veriun. Ai është parë në takime me politikanët e Kosovës, Ramush Haradinaj e Behgjet Pacolli.