‘Bos’ i Policisë së Kosovës, e ‘bos’ i grupeve kriminale në veri u quajt Milan Radojçiqi, i arratisur vetëm pak javë nga Kosova në Serbi. Në seancën e radhës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e cila zgjati rreth 4 orë, emri i Radojçiqit ishte më i përmenduri. Dy dëshmitarët që u paraqitën para trupit gjykues, deklaruan ndryshe nga ajo se çka kishin thënë në Prokurori vite më parë. Avokatët e të akuzuarve thonë se të gjithë dëshmitarët janë të frikësuar nga Radojçiqi.
Emri i Milan Radojçiqit, i cili u arratis javë më parë nga Kosova në Serbi, ishte më i përmenduri gjatë seancës të së martës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Për rreth 4 orë, në këtë seancë kanë dëshmuar dy dëshmitarë, njëri prej të cilëve ishte ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq.
Ai tha se nuk kishte pasur ndonjë raport miqësie me tashmë të ndjerin, por tregoi se gjatë fushatës zgjedhore gjatë vitit 2017 kishin marrë kërcënime të shumta nga Lista Serbe.
“Përmes njerëzve të caktuar gjatë fushatës ka pasur. Aktivistët e partisë së Listës Serbe i kanë penguar kudo që kanë shkuar ata për të vendosur pllakata i kanë zhvendosur ato edhe i kanë vendosur pllakata e tyre, edhe i kanë rrahur”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Jabllanoviqi në deklaratat e dhëna vite më parë kishte deklaruar se Radojçiqi qëndron pas të gjitha kërcënimeve të marra dhe se i njëjti kishte lidhje me eprorët e Policisë së Kosovës, gjë të cilën nuk e tha në këtë seancë, edhe pas insistimeve të shumta të prokurorit special.
“Jeni deklaruar që të gjithë eproret e policisë janë në bashkëpunim me eproret e Milanin edhe Zherko edhe i lidhur ngushtë me Radojçiqin. Tash a ka qenë Zhelko apo jo i lidhur me Radojçiqin?” ka pyetur prokurori Burim Qerkini.
“Ku e di unë, sepse në çdo fushatë Radojçiqi ka shkuar me Listën Serbe e ne nuk kemi ekzistuar fare”, është përgjigjur Jabllanoviq.
E dëshmitarja tjetër ishte Radmilla Rajqiq, dëshmia e të cilës nuk u lejua që të xhirohej nga mediat, por vetëm të qëndrojnë në sallë.
Mirëpo, edhe dëshmia e saj nuk përputhej në pothuajse në asnjë pikë me atë që kishte thënë në Prokurori vite më parë, teksa ajo kërkonte drejtësi edhe për djalin që ia kishin vrarë në veri të Kosovë. E njëjta në prokurori Milan Radojçiqin e kishte quajtur edhe bos të grupit kriminal në veri, e bos të Policisë në këtë pjesë, dhe se e kishte fajësuar edhe për vrasjen e djalit të saj. Por, të gjitha këto fjalë gjatë seancës, tha se nuk i kujtoheshin.
Për këto, avokatët e të akuzuarve thonë se dëshmitarët janë të frikësuar.
Lënda për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është mbi 20 mijë faqe, teksa seanca e radhës do të mbahet më 28 shkurt.
Ivanoviqi u vra në janar të 2018-s para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.